Shqiptarë në kërkim të fatit në kampionatet e huaja, dikush i konsideron emigrantë të futbollit, diksuh legjionare, por ata janë gjithmonë aty për ta ndërtuar fatin e tyre duke kontribuar që emri shqiptar të përmendet gjithmonë e më tepër. Për shumë prej tyre sezoni 2014-2015 ishte tejet pozitiv. Nëse emra si Sokol Cikalleshi, Bekim Balaj, Andi Lila, Elseid Hysaj, Alban Meha etj u afrimuan në disa prej kampionateve më të rëndësishme në Europë, shumë të tjerë u shpallën kampion me skuadrat ku ata luajnë jo vetëm Europë por edhe në kontinente të tjera. Ky sezon mund të konsiderohet thjesht fantastik për Shkëlzen Gashin. Sulmuesi i kombëtares kuqezi fitoi titullin e tij të parë në Zvicër me Baselin, në një sezon ku Gashi ishte protagonisti kryesor i skuadrës së drejtuar nga Paulo Sousa. 21 golat e realizuar nga 26-vjecari që i japin atij të drejtën të kreysojë listën e golashënuesve në ligën maksimale të futbollit helvet për të dytin vit radhazi, ishin një ndihmesë e madhe për Baselin që u shpall matematikisht kampion 3 javë përpara fundit të kampionatit.
Por Gashi nuk është i vetmi futbollist i kombëtares sonë që bën pjesë në radhët e Baselit pasi me formacionin nga St Jakob Park luajnë edhe Taulant Xhaka dhe Arlind Ajeti që gjithashtu patën rolin e tyre në fitimin e titullit të 18-të kampion nga skuadra e tyre. Një sezon të mrekullueshëm zhvilloi edhe Besart Berisha në Australi me Melbourne Victory. 15 golat e 29-vjecarit dhe sidomos ai i realizuar në finalen e play-offit ndaj Sydney Fc i hapën rrugën drejt fitimit të titullit kampion skuadrës së Melbourne Victory. Berisha tashmë mund të konsiderohet në kuptimin e plotë të fjalës një legjendë e futbollit australian pasi në 4 sezone në vendin e kangurëve ai ka fituar 3 kampionate.
Nga Australia në Azerbaxhan. Ansi Agolli dhe Admir Teli u shpallën për të dytin sezon radhazi kampion të Azerbaxhanit me skuadrën e tyre Qarabag duke rezultuar vendimtarë në suksesin e radhës të ekipit të tyre. Titullin kampion e fitoi edhe Xhevair Sukaj në Iran. Në sezonin e tij të fundit me skuadrën e Sepahanit sulmuesi shkodran mori në duar edhe njëherë tjetër trofeun e kampionit. Festë pati edhe për tre nga talentet e futbollit shqiptar Endri Cekicin, Enis Gavazajn dhe Qazim Lacin. Cekici i cili bëri edhe debutimin e tij me Dinamon e Zagrebit këtë sezon fitoi titullin në Kroaci, ndërkohë Gavazaj dhe Laci edhe pse për pjesën më të madhe të sezonit kanë qenë pjesë e skuadrave të të rinjëve fituan kampionatet respektive me Gent në Belgjikë dhe Olympiacosin në Greqi./ss/