Sigurimi i automjeteve me targa të Kosovës që futen në Serbi, nga 1 gushti, do të kushtojë 40 euro për një vit, për dallim me shumën prej 100 euro sa është aktualisht.
Rrahim Pacolli, kryesues i delegacionit teknik kosovar për çështjen e sigurimeve në bisedimet Kosovë-Serbi, duke folur për marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel, ka thënë për lajmi.net se kjo marrëveshje do t’iu mundësojë qytetarëve të Kosovës që të lëvizin lirshëm, duke mos paguar asnjë lloj pagese shtesë.
Sipas tij, sigurimi i quajtur “TPL plus” që qytetarët e Kosovës aktualisht e përdorin për vendet tjera të rajonit, po i njëjti, do të vlejë edhe për territorin e Serbisë, shuma e të cilit është 40 euro për periudhë një vjeçare.
“TPL plusi e mbulon aktualisht Maqedoninë, Shqipërinë dhe ai TPL plus do të mbulojë edhe territorin e Serbisë. Të njëjtën shumë të cilën qytetaret e Kosovës duhet të paguajnë për të hyrë në Maqedoni duhet të bëhet edhe për në Serbi” shtoi Pacolli.
Ai këtë e vlerësoi si një hap shumë të madh për qytetarët e Kosovës dhe asaj të Serbisë, përfshirë këtu edhe shqiptarët në luginën e Preshevës.
Kjo marrëveshje e nënshkruar në Bruksel, sipas Pacollit, do të lehtësojë që brenda këtij viti Kosova të bëhet pjesë e kartonit të gjelbër, por ai vlerëson se duhet plotësuar disa kushte.
Marrëveshja për lëvizje të lirë në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, që u nënshkrua të martë, erdhi si rezultat i disa përpjekjeve të dështuara të palës kosovare. Ndonëse bisedimet për këtë çështje kanë nisur muaj më parë, ishte pala serbe ajo që prolongonte nënshkrimin e një marrëveshje e cila do t’i lironte qytetarët nga dy shtetet të udhëtojnë në vendet respektive pa pagesa shtesë.