Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë informon qytetarët shqiptarë se, duke filluar nga data 10 prill 2026, në 29 vendet e hapësirës Shengen hyn në funksion të plotë Sistemi Evropian i Hyrjes/Daljes (Entry/Exit System – EES), i cili zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet jo-anëtare të Bashkimit Evropian.
Ky sistem, i cili ka nisur të zbatohet pjesërisht që prej tetorit 2025, do të aplikohet për të gjithë shtetasit që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra, deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, në zonën Shengen.
Qytetarët duhet të kenë parasysh, si vijon:
Në hyrjen e parë pas datës 10 prill 2026, në pikën kufitare do të regjistrohen:
të dhënat e pasaportës;
fotografia e fytyrës;
gjurmët e gishtërinjve.
Refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike sjell refuzimin e hyrjes në territorin Shengen.
Në fazën fillestare të zbatimit mund të ketë vonesa në aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore; për këtë arsye, qytetarët këshillohen të paraqiten më herët për udhëtim.
Pasaporta duhet të jetë e vlefshme dhe në gjendje të mirë fizike.
Nuk kërkohet aplikim paraprak për EES; regjistrimi kryhet në momentin e kalimit kufitar.
Sistemi nuk ndryshon rregullin ekzistues të qëndrimit: maksimumi 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme rekomandon që qytetarët të informohen paraprakisht mbi procedurat e reja dhe të planifikojnë udhëtimet e tyre duke marrë në konsideratë kohën shtesë të nevojshme për kontrollet kufitare.
Për informacione të mëtejshme, qytetarët mund të konsultojnë faqen zyrtare të Bashkimit Evropian për EES.
















