Nga 1 qershori, bizneset e mëdha zgjedhin vetë furnizuesin e energjisë

E publikuar: 25/03/2025 15:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka mbajtur takim me Ymer Fejzullahun, Kryetarin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ku janë diskutuar liberalizimi i tregut të energjisë, i cili nënkupton që kompanitë e mëdha në Kosovë duhet t’i zgjedhin vetë furnizuesit e tyre me energji elektrike.

Me kërkesë të ZRRE-së, të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro do të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.

Si pjesë e Ligjit për energji elektrike, kjo masë nënkupton që bizneset duhet ta zgjedhin vetë furnizuesin e tyre me energji elektrike.

Fejzullahu ka theksuar se ky detyrim bazohet në legjislacionin në fuqi që nga viti 2016 dhe synon të krijojë një treg më konkurrues.

Ai ka nënvizuar se bizneset kanë mundësinë të blejnë energji përmes bursës shqiptare të energjisë, e cila është e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke u mundësuar atyre të gjejnë çmime më konkurruese.

Fejzullahu ka shtuar se Kosova ka krijuar infrastrukturën e nevojshme për të lehtësuar këtë proces, duke përfshirë autostradat energjetike që mundësojnë importin e energjisë nga tregjet rajonale pa pengesa.

“Këtë muaj, sipas legjislacionit në fuqi, disa biznese e kanë për detyrë të furnizohen me çmime të tregut. Ky detyrim është i bazuar në legjislacionin primar, ligji është në fuqi që nga viti 2016. Këto kritere janë paraparë në këtë legjislaturë dhe është obligim për ZRRE-në zbatimi i ligjit në fuqi. Dy kriteret bazë janë: të gjitha bizneset që kanë qarkullim më të madh se 10 milionë euro duhet të furnizohen me çmime të tregut, dhe ato biznese që kanë më shumë se 50 punëtorë duhet të furnizohen me çmime të tregut”.

“Bizneset tona nuk kanë më nevojë të blejnë energji në tregjet si Serbia, Kroacia apo Hungaria; tani e tutje kanë mundësi ta blejnë përmes një mekanizmi që u është ofruar përmes bursës së përbashkët shqiptare të energjisë, me qëllim që të sigurojnë çmime sa më konkurruese si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë”.

“Vitin e kaluar është lansuar edhe tregu IntraDay, i cili u mundëson bizneseve që brenda disa orëve të caktuara të shikojnë mundësinë për të gjetur çmime konkurruese në këto bursa. Për këtë kemi vlerësuar se një numër i madh i bizneseve duhet të dalë në treg të hapur. Ligji ka paraparë që vetëm konsumatorët shtëpiakë dhe bizneset me të hyra më pak se 10 milionë euro kanë mundësinë të furnizohen me tarifa të rregulluara dhe të marrin energjinë nga prodhues vendorë. Ndërsa, për kategoritë e tjera, me krijimin e bursës shqiptare, bizneset nuk janë të obliguara ta përdorin atë, por mund të zgjedhin cilëndo bursë”.

“Jemi shteti me autostradat energjetike më të mira në Ballkan, që ju mundëson bizneseve të importojnë energjinë më të lirë pa pengesa. Ende, çmimi i energjisë elektrike nuk është konkurrues, pasi gjenerimi vendor është i lartë. Kemi dy mundësi: energjinë që është e kufizuar, 800-900 megavat, t’i japim përparësi konsumatorëve shtëpiakë dhe bizneseve të vogla, ndërsa bizneset më të mëdha ta blejnë energjinë me çmime të tregut. E dimë që kjo do të ketë ndikim në këtë fazë,” ka theksuar Fejzullahu./EO