Nga 1 familje në ditë iu shtua të varfërve të Kosovës në 2016-ën

E publikuar: 08/04/2017 11:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në vitin 2016, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës 365 familje hynë në listën e të varfërve që marrin ndihma sociale.

Nga paslufta në Kosovë, varfëria vazhdoi të jetë njëri nga armiqtë më të mëdhenj. Krahas pamjeve të përditshme rrugëve të qyteteve ku shpesh pasqyrohet varfëria, edhe shifrat zyrtare e tregojnë një gjë të tillë.

Familjet të cilat janë në varfëri, të përzgjedhur në përputhje me kriteret e parapara me ligj, u ofrohet ndihmë e përkohshme financiare bazuar në mjetet nga buxheti i vendit për këtë qëllim.

Familja me një anëtar gëzon të drejtën e ndihmës sociale prej 50 eurove, rreth 19 euro më shumë merr familja 2 anëtarëshe, 75 euro ndihmë sociale merr familja 3 prej anëtaresh. Deri në shumën maksimale prej 150 eurove ndihmë sociale merr familja e cila i ka 15 anëtarë.

Shuma maksimale prej 150 eurove në muaj për 15 anëtarë po të ndahet i bie nga 10 euro për anëtar në muaj, apo më pak se 30 centë në ditë.

Më së shumti familje që marrin ndihmë nga shteti ka në Komunën e Mitrovicës- më tepër se 2 mijë. Në Prishtinë të varfra konsiderohen 1 mijë e 600 familje, ndërsa në Pejë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj, Podujevë, Vushtrri, Gllogoc, Gjilan, Vushtrri, ndihma sociale marrin më shumë se 1 mijë familje.

Komuna e Mamushës ka më së paku familje që jetojnë në varfëri, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave -gjithsej 21 familje me 78 anëtarë.

Në nivel vendi, në Kosovë sipas raportit për mirëqenien sociale 2016 të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) thuhet se janë 26 mijë e 302 familje të varfra me gjithsej 107 mijë e 575 anëtarë që marrin ndihmë sociale në përputhje me ligjin në fuqi.

Me një llogaritje të thjeshtë i bie që 107 mijë e 575 anëtarë në numrin e përgjithshëm të banorëve rezidentë që deri në vitin 2015 janë mbi 1 milionë e 771 mijë, përbëjnë 6 për qind të popullsisë për të cilët shteti duhet të kujdeset për nevojat elementare të tyre.

Përveç varfërisë, Kosova po përballet edhe me “varfëri të statistikave” për varfërinë. /kallxo.com/