Vetëm pas tri ditë stërvitjesh në Shtetet e Bashkuara, trajneri i Kombëtares braziliane, Carlos Dunga duhet të ndryshojë planet përsa i takon titullarëve në sulm.
Ylli i Barcelonës Neymar ndjeu shqetësime në gju dhe u largua përpara kohe nga seanca përgatitore në New Jersey, i shoqëruar edhe nga fizeoterapisti i “seleçaos”. Futbollisti u largua nga fusha vetëm pas 20 minutave të para. Stafi mjekësor nuk ka dhënë ende detaje nëse dëmtimi i Neymar është serioz, por lojtari u largua nga stërvitja për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes.
Sulmuesi do të aktivizohej në formacion për miqësoren e së shtunës me Kosta Rikën dhe ndeshjen e së mërkurës me përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara. Vendimi nga trajneri Dunga ishte marrë, pavarësisht faktit se për shkak pezullimi në Kupën e Amerikës, Neymar do të humbasë dy ndeshjet e para në kualifikueset e Botërorit 2018 nndaj Kilit dhe Venezuelës. Në ndeshjet brenda ekipit zhvilluara, skema ofensive e “seleçaos” përfshinte aktivizimin e Kaka, Coutinho, Lucas dhe Neymar. Përsa i takon pjesës tjetër, Miranda u përfshi mes titullarëve në mbrojtje, përkrah Danilo-s, David Luiz dhe Marcelo-s./ss/