Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka theksuar se mungesa e flamurit shtetëror në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Ismail Qemailit, tregon një veprim jo shtetëror duke thënë se veprimi i Shpend Ahmetit është injorim ndaj shtetit.
Spahiu ka folur edhe për zgjedhjet në LDK, duke thënë se rizgjedhja e Isa Mustafës në krye të LDK-së do të ishte përmbysje e këtij subjekti politik.
Ai ka thënë se Mustafa i ka hangër fjalët e veta kur ka bërë koalicion me PDK-në. Spahiu ka theksuar se rikthimi i Sejdiut në krye të LDK-së është më e favorshme për këtë subjekt politik.
Mirëpo, për Spahiun zgjidhja më e mirë për LDK-në do të ishte ardhja në krye të partisë e Vjosa Osmanit, për të cilën thotë se ka përcaktuar vizionin e saj të qartë. Sipas tij, në rast se zgjidhet Vjosa në krye të partisë atëherë LDK do të kthehej fuqishëm,.
“Nëse Vjosa Osmani zgjidhet kryetare, LDK-së i kthehet elektorati masiv, që potencialisht është rreth 70 për qind”, tha Spahiu.
Spahiu e ka cilësuar të guximshme deklaratën e Vjosës se nëse zgjidhet kryetare e LDK-së do ta prish koalicionin me PDK-në, duke potencuar se strukturat e LDK-së në përgjithësi janë frikacakë. Ndërsa, deklaratën e anëtarit të Kryesissë së LDK-së, Agim Veliut, se Vjosa Osmani nuk është e përgatitur ta udhëheq LDK-në, Spahiu e konsideron të pamençur.
Këto komente analisti Spahiu i ka bërë në emisionin politiko-satirik ‘Rrokum Roll’ me Fidan Jupollin në Televizionin Rrokum.