Klinika “Newborn Clinic” në Shkup, ka reaguar pas skandalit që ka publikuar gazeta “Zëri” me titull: “Kosovarët shesin spermë dhe vezore në Maqedoni”.
Ky është reagimi i plotë i klinikës i adresuar nga avokatja e kësaj klinike dhe poshtë saj është përgjigja e redaksisë së gazetës “Zëri”.
Reagimi i “Newborn Clinic”, në Shkup
Do të dëshironim që të ekziston mënyra për ta shprehur zhgënjimin tonë nga joprofesionalizmi Juaj! Keqpërdorimi i vullnetit tonë të mirë për bashkëpunim dhe në interes të së mirës së atyre të cilët kanë vështirësi në bërjen prind.
Me tekstin Tuaj të publikuar në linkun në vijim http://ëëë.zeri.info/aktuale/33505/skandal-kosovaret-shesin-sperme-dhe-vezore-ne-maqedoni/, jo vetëm që keni shkelur të drejtën e mbrojtjes së privatësisë të dr. Birol me publikimin e fotos së tij pa ju dhënë leje ai, jo vetëm që keni shkelur kodin gazetaresk për punë, por edhe keni bërë njëfar lloj përdhunimi të informatave tek të cilat keni ardhur e me qëllim që të tërheqni vëmendje!
Dokumentin të cilin e publikoni si dëshmi dhe me të cilin e zhgënjeni publikun është në fakt ofertë deri te ordinancat gjinekologjike për bashkëpunim ME MJEKËT E JO ME PACIENTËT!!! Shumat e cekura (kompenzimi në para) është kompenzim për kostot reale materiale të bëra të cilat mjeku i ka pasur gjatë procedurës FNB (Fekondimit të Ndihmuar me anë të Biomedicinës), kompenzim edhe për kohën e humbur dhe ekspertizën, përndryshe kostot e pacientëve për të ardhur deri këtu gjatë përgaditjes do të ishin më të mëdha për çiftin i cili ballafaqohet me sterilitet!!!!
Meqënëse padyshim keni problem me kuptimin e termit donacion, konsiderojmë se është e domosdoshme që të Ju theksojmë në vazhdim: termi DONACION (i cili është gjerësisht i njohur në botën e medicinës) NUK ËSHTË I NJËJTË me termin DHURIM! Donacioni domethënë shfrytëzim i spermatozoideve nga banka me famë për spermë nga Danimarka (ajo është e theksuar në ofertën, mirëpo ju me qëllim e keni mbuluar emrin e të njëjtës me logon tuaj), apo shfrytëzim të qelizave vezë nga banka përkatëse për qeliza vezë nga Ukraina, varësisht nga ajo se çfarë i duhet çiftit i cili ballafaqohet me sterilitet! E gjithë kjo procedurë zbatohet në pajtim me ligjet e R. së Maqedonisë dhe secili çift i cili ka nevojë nga donacioni i qelizave gjinore nga Banka, kalon nëpër Komisionin i cili është i përbërë nga anëtarë të Ministrisë së Shëndetësisë!
Të gjitha këto marëveshje për bashkëpunim me bankën konkrete Ju i keni në shtesë të këtij përgënjeshtrimi si dhe certifikatën për transparencë të cilën klinika jonë e ka të fituar!
Nga ana tjetër, pala ime është një Klinikë me famë të madhe, e themeluar nga disa mjekë (gjinekologë dhe embriologë) më të respektuar dhe më profesionistë në Turqi dhe Maqedoni, reputacion i cili është ndërtuar me vite të tëra më parë ndërsa e mbështetur me suksese të mëdha të pranuara në suaza botërore!!!
Kjo famë nuk mund të lëkundet nga një kuazi gazetar i cili në vend që të publikon informatat e mara, po të njëjtat i deformon dhe shtrembëron në favor të vetin (ndërsa nuk është i vetëdishëm që bën vepër penale dhe se shkakton dëm material).
Para se të hymë në çfarëdo zmadhimi të dëmit të bërë e në interes të vullnetit të mirë të bashkëpunimit zyrtar, Ju thërasim që menjëherë ta tërheqni tekstin e publikuar dhe të bëni përgënjeshtrim të informatave të theksuara në të njëjtin sepse janë të pasakta.
Poashtu, me kohë Ju informojmë se në të ardhmen nëse përsëri ka artikull të publikuar në lidhje me palën time do të na obligoni që të Ju ndjekim penalisht dhe materialisht sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare penale dhe civile.
Njëkohësisht, me kohë Ju informojmë që të në ardhmen NUK do të bashkëpunojmë me Ju, si gazetar, sepse në vend se të gëzoheni në fatin të cilin Klinika e sjell në krijimin e jetës së re njerëzve të cilët kanë probleme me konceptimin, ju publikoni të pavërteta për 5 minuta famë!
Përgjigje e redaksisë
Fillimisht na lejoni t’iu shpjegojmë se nuk ka asnjë arsye të tërhiqet artikulli nga portali www.zeri.info.
Gazeta e as gazetari nuk kanë pasur nevojë të zbulojnë asnjë gjë në këtë rast, pasi të gjitha janë thënë shumë troç në shkresën e spitalit që është siguruar nga redaksia.
Gazetari ka kontaktuar spitalin dhe në artikull ka publikuar edhe qëndrimin e “Newborn Clinic” e cila ka konfirmuar për numrin e pacientëve që kanë marrë shërbime në këtë klinikë.
Po ashtu, fotografia e Dr. Birol Aydin, ka qenë publike dhe nuk është bërë asnjë lloj shkelje.
Oferta që iu është bërë mjekëve me Ligjet e Republikës së Kosovës është e ndaluar rreptësisht dhe të njejtit kanë marrë këtë ofertë jo të vijnë vet në klinikën Tuaj, por normalisht të sjellin pacientë nga Kosova.
Ne kemi përmendur në artikullin tonë edhe marrëveshjet që keni me bankat e spermës dhe nuk është bërë asnjë shtrembërim.
Nuk qëndron aspak as fakti se me logon e gazetës është mbuluar qëllimshëm ajo pjesë e dokumentit. Logoja vendoset në çdo dokument ekskluziv që siguron gazeta Zëri. Po ashtu, ligjet e Kosovës ndalojnë rreptësisht edhe reklamimin dhe ofertat e tilla, për çdo lëmi shëndetësore në Kosovë, e në veçanti për frytnimin e asistuar mjekësor.
Gazeta “Zëri” nuk ka pasur e as nuk ka asnjë tendencë për të njollosur klinikën Tuaj. Qëllimi ishte vetëm të tregohet një e vërtetë, e komentuar gjatë, por e pathënë publikisht deri tani.