E përditshmja amerikan, The New York Times, u ka dërguar letër lexuesve të premten, në të cilën premton se do të reflektojë rreth mbulimit të zgjedhjeve të këtij viti dhe se do ta ripërkushtojë veten që t’i raportojë botës dhe Amerikës në mënyrë të saktë dhe sinqertë.
Autori, Arthur O. Sulzberger Jr, publikues i New York Times, i ka lutur lexuesit e gazetës për përkrahje të vazhdueshme, transmeton Express.
“Ne s’mund të bëjmë gazetari të pavarur dhe vërtetë, për të cilën jemi të njohur, pa besnikërinë e abonentëve tanë,” thuhet në letër.
Letra e Sulzberger u publikua pasi që redaktorja e New York Times, Liz Spayd, e kritikoi rendë gazetën për mbulimin e gabuar të zgjedhjeve. Ajo theksoi se si rezultatet finale të sondazheve të saj i dhanë Hillary Clintonit 84 për qind mundësi për të fituar derisa votuesit ishin nisur drejt vendvotimeve.
Ajo i krahasoi lajmet që gazeta i ka publikuar për presidentin e sapo zgjedhur Donald Trump dhe Hillary Clintonin, ku gazeta e kishte bërë Clintonin të dukej funksionale dhe e organizuar, ndërsa fushatën e Trumpit të turbulluar dhe hutuar.
Ndërkohë, në letrën e New York Times, më tutje thuhet: “Gjersa reflektojmë në rezultatin shumë të rëndësishëm të kësaj jave, dhe muajve të raportimit dhe sondazheve që i paraprinë atij, ne kemi për qëllim që ta ripërkushtojmë veten tonë për misionin thelbësor të gazetarisë së NYT. Që do të thotë se do t’i raportojmë Amerikës dhe botës sinqerisht, pa frikë apo favor, duke u përpjekur që gjithmonë t’i kuptojmë dhe reflektojmë të gjitha perspektivat politike dhe përvojat e jetës në lajmet që jua sjellim.” /Express/