Kryeministri i Izraelit, Benyamin Netanyahu, i ka reaguar presidentit të Francës, Emmanuel Macorn, pasi ky i fundit gjatë një intervistë ekskluzive për BBC-në ka thënë se, “Izraeli duhet të ndalojë vrasjen e foshnjave dhe grave në Gaza”.
Në këtë intervistë ekskluzive nga Pallati Élysée, Macron gjithashtu ka thënë se nuk kishte “asnjë justifikim” për bombardimet, duke thënë se nga një armëpushim do të përfitonte Izraeli.
“Ndërsa njohim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten, ne i bëjmë thirrje që të ndalojnë këtë bombardim në Gaza, duke shtuar gjithashtu se Franca dënon qartë veprimet terroriste të Hamasit.”
Ndaj këtyre fjalëve të Macron ka reaguar Netanyahu, duke thënë se “Hamasi është përgjegjës për vdekjen e civilëve, mos e dënoni Izraelin”.
“Ndërsa Izraeli po bën gjithçka që të përmbahet nga dëmtimi i civilëve dhe duke u bërë thirrje atyre të largohen nga zonat e luftimit, Hamasi-ISIS po bën gjithçka për t’i penguar ata të largohen në zona të sigurta dhe po i përdor ato si mburoja njerëzore.” – tha Netanyahu.