Vetëvendosje nuk i ka 61 por 57 për Kryetarin e Kuvendit, e ish-partitë opozitare nuk kanë votë për Albulena Haxhiun. Nesër për të nëntën herë radhazi do të provohet të përfundohet konstituimi i Kuvendit
Istogu Channel ka arritur ta bëjë atë që nuk mundën ta bëjnë mediat në Prishtinë për më shumë se 15 ditë.
E bindi Kryeministrin në detyrë që të flasë për bllokadën që ka sjellë emri i Albulena Haxhiut në Kuvend.
“Gazetarja: A mundesh me iu ikë pytjes së gazetarëve, se a po bohet Qeveria a jo. A mundesh me na tregu Kryeministër?
Kurti: Një herë Kuvendi, mandej Qeveria.
Gazetarja: Po Kuvendi a po bëhet, apo konstituohet?
Kurti: Seanca është nesër…
Pos deklaratës pa ndonjë përgjigje konkrete e zgjidhje, risi ka pasur edhe mbrëmë në Kryeqytet.
Njeriu i dytë pas Kurtit, Glauk Konjufca zgjidhjen për bllokadën e ka kërkuar në Drenicë, tek familja Geci.
Lëvizja Vetëvendosje e cila kërkon votë për Albulena Haxhiun duke u thirrur në fuqinë e saj si grua, dhe thotë se është seksizëm që të mos votohet veç pse është grua e fuqishme, ka zgjedhur që të mos flasë me një grua në Kuvend, por me babanë e saj.
“Është seksizëm që të mos votohet Albulena Haxhiun veç pse është grua e fuqishme – opozita dëshiron gra të heshtura…”, ka deklaruar Dimal Basha – Deputet i Vetëvendosjes.
Edhe deputetja Marigona Geci nga LDK është grua dhe ka marrë mbi 20 mijë vota, por votën e saj, Glauk Konjufca e ka kërkuar nga babai i saj, Gani Geci.
“…më datë 14 rreth orës 17.57 minuta më ka thirr në telefon Glauk Konjufca dhe më ka thënë çfarë po kërkon, që Marigona Geci me e votu Qeverinë e Albin Kurtit, me bo me pushtet LVV-në… dhe unë i kam thënë unë nuk kërkoj asgjë, unë nuk shes votën time, unë nuk i shes 20500 vota që i ka marr Marigona Geci, por unë kërkoj që Albin Kurti t’i përgjigjet letrës së vëllait tim Halil Geci, më datë 09.10.2024, dhe me kërku falje publike”, ka deklaruar Geci.
Por, cili është qëndrim i Konjufcës, këtë dilemë e hoqi ish-shefi i Kabinetit sa Konjufca ishte Kryetar i Kuvendit.
“Me gjithë respektin për familjen Geci, unë vetëm deshta me reagu sepse z. Konjufca nuk e ka pyetur se çfarë kërkoni, z. Konjufca nuk e përdor këtë gjuhë asnjëherë, sepse nuk e ka pyetur se çfarë kërkoni për votë”, ka theksuar Ilir Kërqeli – Deputet i Vetëvendosjes.
Pra Kërçeli e konfirmon që Konjufca Gani Gecin e ka thirrur për votën e Marigona Gecit por thotë se nuk ka ofruar asgjë në këmbim.
Tash i vjen radha kërkesës që Geci ia ka përcjell Konjufces përmes whatsapit.
Familja Geci, kusht për ta takuar Kurtin e ka që Kryeministri në detyrë ta fshijë një postim në të cilin e përkujton ish-komandantin e UÇK-së, Abedin Rexhën. Në 26 vjetorin e vdekjes së Sandokanit në 2024, Kurti kishte thënë se ai është vrarë në pyjet e Kllodernicës në Skenderaj.
Për vrasjen e Sandoknit bashkëshortja e ka akuzuar Gani Gecin, ndërsa ky i fundit publikisht kishte deklaruar që kishte shtënë në vetëmbrojtje dhe se sipas një ekspertizë mjekoligjore thuhet se Sandokni kishte pësuar infarkt.
Seanca e 9-të për konstituimin e Kuvendit, kur për të shtatën herë Vetëvendosje do të kërkojë 61 vota për Albulena Haxhiun nis të enjten nga Ora 10 në mëngjes.


















