Nesër takimi për të zhdukurit, Kosova do ta kërkojë zbatimin e shkresës për arkivat

E publikuar: 14/01/2025 07:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nesër do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, kanë konfirmuar nga Komisioni Qeveritar i Kosovës për këtë çështje. Kryetari i këtij komisioni, Andin Hoti, tha se kërkesat e Kosovës kryesisht lidhen me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat

Dialogu në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë do të kthehet këtë javë me takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak në një postim në Facebook, të hënën, veç takimit të paralajmëruar, tha se ditët e para të këtij viti i priti me mision në Shtetet e Bashkuara, ku është njoftuar me zyrtarë të lartë të shtetit, me të cilët tha se ka diskutuar për nevojën për avancim në dialog.

“Misioni im i parë i vitit më çoi në SHBA. Në Uashington, D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit… Përsëri në Bruksel, fokusi i kësaj jave do të jetë te Personat e Zhdukur me takimin e parë të Komisionit të Përbashkët”, ka shkruar Lajçak.

Kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti, konfirmoi se takimi do të mbahet më 15 janar në nivel të zëvendësuesve. Halil Cenaj është caktuar si përfaqësues delegacionit të Kosovës.

“Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur. Në këtë kontekst, delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar te Vuçiq, dhe çështje të tjera të rëndësishme në këtë fushë. Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese ‘Deklaratës për Persona të Zhdukur’ e miratuar më 2 maj 2023”, tha Hoti.

Komisioni i Përbashkët do të kryesohet nga Bashkimi Evropian si dhe do të mbikëqyret nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Sipas këtij Komiteti, janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta e viteve 1998/99 në Kosovë, shumica prej tyre shqiptarë.