Memorandumi i Mirëkuptimit (MoU) për njohjen reciproke të policave të sigurimit kufitar ndërmjet dy shteteve, Kosovë-Serbi, do të fillojë të zbatohet nga data 12 Gusht me fillim në ora 00:00.
Kryesuesi i delegacionit teknik të Kosovës për bisedime për çështje të sigurimeve midis Kosovës e Serbisë, Rrahim Pacolli, përmes një njoftimi për media rikujton se nga nesër nis zbatimi i Marrëveshjes Kosovë-Serbi për njohjen reciproke të policave të sigurimit kufitar midis dy shteteve.
“Memorandumi i Mirëkuptimit (MoU) për njohjen reciproke të policave të sigurimit kufitar ndërmjet dy shteteve, Kosovë-Serbi, do të fillojë të zbatohet nga data 12 Gusht me fillim në ora 00:00”, thuhet në njoftim.
“Qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në territorin e Serbisë pasi që të pajisen nga kompanitë e sigurimeve me policën TPL +. Po ashtu, qytetarët e Serbisë mund të hyjnë në territorin e Kosovës me policën e sigurimit kufitar të cilën e posedojnë. Kjo u lehtëson bashkëkombasve tanë të Luginës së Preshevës ardhjen në Kosovë”, sqarohet në njoftimin e Rrahim Pacolli.
Kjo marrëveshje ishte paralajmëruar se do të hynte në fuqi nga 24 korriku i vitit 2015, por pala serbe nuk e përfilli, me arsyetimin se nuk ishte gati ta zbatojë.