Nesër në Paris pritet të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Për mbledhjen është deklaruar edhe Kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla nga Nju Jorku. Ajo ka thënë se nëse nesër ka kuorum, pra deputetë të mjaftueshëm, raporti i raportueses Dora Bakoyannis do të miratohet. Çështja e kuorumit është ngritur për shkak të mundësisë që deputetët të mos udhëtojnë në Paris për shkak të festës së Pashkëve.
“Ne mendojmë se nëse nesër krijohet kuorumi i nevojshëm për trajtimin e kërkesës për Kosovën, atëherë mendojmë që një kërkesë e tillë, pra raporti do të mund të miratohet.” – ka thënë Gërvalla.
Nëse nesër raporti aprovohet, çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE kalon në Asamblenë Parlamentare, pastaj fjalën e vet në maj do ta thotë Komiteti i Ministrave.