Prokurorja Drita Hajdari i ka dërguar një ftesë jo fort të këndshme Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, që të paraqitet si i pandehur për veprën penale të “mashtrimit në detyrë” në bazë të nenit 341.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet të shkojë në Prokurori në orën 10 në të kundërtën ai do të dërgohet atje me forcë nga Policia e Kosovës.
Ftesën për të pandehurin Hasani e kanë konfirmuar për Gazetën Express prokurorët e Prokurorisë Speciale të Kosovës që udhëhiqet nga Drita Hajdari.
Po ashtu, Prokuroria Speciale i ka sugjeruar Enver Hasanit që ka të drejtë të angazhojë avokat mbrojtës për rastin e tij.
Dyshimet ndaj Enver Hasanit lidhen me një tender në kohën sa ishte Rektor i UP’së.