Ngjarja ishte lajmëruar më herët, me anë të një eventi publik në Facebook, ku pothuajse 5,000 persona kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Një ditë para ngjarjes, Policia e Kosovës ka konfirmuar për Koha.net se ka informacion për këtë organizim.
“Policia e ka një informacion të tillë. Posedimi dhe përdorimi i substancave narkotike sanksionohet me ligj. Andaj, policia, duke u bazuar në kompetencat dhe autoritetin policor, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që të funksionojë zbatimi i ligjit”, ka thënë zëdhënësi i PK-së, Daut Hoxha.
“Njëkohësisht, policia njofton të gjithë ata individë apo grupe që bien ndesh me ligjin se do të përballen me masa sanksionuese konform ligjeve në fuqi”, tha Hoxha për koha.net.
“Share/Love – 4/20 Prishtina” është emri i një eventi të krijuar në Facebook, i cili përshkruan ngjarjen që jo zyrtarisht njihet si “Dita Ndërkombëtare e Kanabisit”.
Termi 4/20 për herë të parë është përdorur në San Rafael, Kaliforni të SHBA-ve, në vitin 1971. Një grup njerëzish në San Rafael asokohe kanë pasur në plan që të kërkojnë për disa bimë kanabisi, për të cilët ata kishin dëgjuar.
Ata e kishin vendosur vendtakimin e tyre në një statujë afër një gjimnazi në atë qytet, çdo ditë, në ora 4:20.
Ky grup i referohej planit të tyre si “4:20”, term ky që më pas u përdorë si sinonim i konsumimit të marijuanës.
Duke u lidhur me këtë ngjarje, tash e sa kohë në disa vende të Amerikës, më 20 prill të çdo viti mblidhen që të festojnë dhe konsumojnë kanabis, kryesisht në ambiente të hapura – parqe.
Si duket, kjo ngjarje amerikane pritet të manifestohet edhe në Kosovë.