Nesër mbahet takimi i parë Kosovë-Serbi, Kosova me një sërë kërkesash për çështjen e të pagjeturve

E publikuar: 14/01/2025 22:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës. Foto: REL

Në Bruksel, nesër do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Takimi do të kryesohet nga Bashkimi Evropian, e palë do të jenë delegacionet nga Kosova e Serbia. Kosova do t`i paraqesë një sërë kërkesash për çështjen e të pagjeturve, ndonëse takimi vlerësohet se do të jetë më shumë simbolik.

Në tavolinën e diskutimeve në Bruksel, të mërkurën do të mblidhet për herë të parë Komisioni i Përbashkët Kosovë-Serbi për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. Takimin e kanë konfirmuar nga Bashkimi Evropian, nga i cili kanë thënë se i njëjti do të jetë më shumë inaugurues.

Kosovën në këtë takim do ta përfaqësojë Halil Cenaj, teksa temë diskutimi do të jetë plani i punës dhe adresimi i çështjes së personave të zhdukur.

Nga Këshilli i Familjarëve të të Pagjeturve kanë kërkuar që Kosova në takime të tilla të përfaqësohet nga ekspertë të fushës.

Kryetari i Këshillit të Familjarëve të Pagjetur, Ahmet Grajqevci ka kërkuar nga BE-ja që t’i bëjë Serbisë më shumë presion për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Sipas burimeve jozyrtare në Bruksel, takimi do të ketë më shumë karakter simbolik sesa substancial.

Rreth 1 mijë e 600 persona figurojnë të zhdukur që nga lufta e fundit në Kosovë.