Nesër 17 mjekët e infermierët e Vitisë mund të dalin nga karantina, nëse rezultojnë negativisht

E publikuar: 26/03/2020 15:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

17 punëtorë të ambulancës në Viti, përfshirë edhe drejtoreshën, pritet të dalin nesër nga karantina, nëse në testimet që do t’u bëhen sot dalin negativ. Para 14 ditësh, të njëjtit ishin izoluar në një prej dhomave të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, pasi kishin pasur kontakt me ambientin ku ishte trajtuar 77-vjeçari i infektuar me COVID-19, raporton Express.

Detaje për gjendjen e stafit shëndetësor ka dhënë drejtoresha e QKMF-së, Vjollca Kadolli. Sipas saj, asnjë prej mjekëve e infermierëve nuk ka shfaqur ndonjë simptomë të koronavirusit.

Kadolli thotë se sot do të testohen për të dytën herë dhe nëse rezultatet dalin negative, do të lirohen nga karantina.

“Sot është dita e 14-të e jona. Po presim me ardhë me na i marrë mostrat për të dytën herë dhe nëse dalin negative, po presim me dalë nesër prej karantinës. Gjendja e të gjithëve është e mirë. Asnjë prej mjekëve e infermierëve s’kemi pas ndonjë simptomë. Jemi në kontakt me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe po presim tash”, ka thënë Kadolli për Express.

Ndërkohë, për gjendjen e të infektuarve në këtë komunë ka folur edhe kryetari i Vitisë, Sokol Haliti.

Në një prononcim për Express, Haliti ka thënë se gjendja e të infektuarve është e mirë, përveç 77-vjeçarit.

“Gjendja e qetë. S’ka asnjë rast të ri të dyshuar, vetëm ato shtatë raste që janë konfirmuar. Nesër edhe personeli shëndetësor i ambulancës në Viti pritet të dalë nga karantina, sepse sot është dita e 14-të e tyre. Por, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, atyre do t’u bëhet edhe analiza e dytë, e nëse dalin negativ e pastaj do të lirohen. Gjendja e të infektuarve është e mirë, përveç 77-vjeçarit, i cili është pak më keq. Por, edhe ai po shkon duke u përmirësuar, së paku kështu më thanë në telefon që bisedova më herët. Jemi në kontakt me të gjithë të infektuarit”, ka thënë Haliti.

Ai thotë se probleme me ushqim më nuk kanë, meqenëse vetëm dje i kanë shpërndarë mbi 750 pako ushqimore për familjet në nevojë. Por, problem për ta mbetet mungesa e pajisjeve mbrojtëse.

“Dje, i kemi shpërnda 750 pako ushqimore, d.m.th. s’kemi problem me ushqim, përveç me pajisje mbrojtëse, që kemi mungesë. Por, sot kam biseduar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe na kanë premtuar që gjatë javës do të na i sjellin”, ka thënë Haliti për Express.

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka konfirmuar edhe tetë raste të reja me koronavirus, duke bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 71.

“Sot me 25.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar tridhjetë e katër (34) mostra të marra të rasteve të hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga terreni. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, tetë (8) prej prej tyre kanë rezultuar pozitive”, shkruhet në njoftim.

Sipas IKSHP-së, rastet e konfirmuara pozitive janë raste kontakti prej të cilëve 4 raste janë me vendbanim në fshatin Domanek- Malishevë, 3 raste me vendbanim në Prishtinë dhe 1 rast me vendbanim në fshatin Studime e ulët-Vushtrri.