I gjithë spektri politik në Kosovë është bërë gati për zgjedhjet e parakohshme.Madje, po pritet që edhe Kuvendi i Kosovës të shpërbëhet brenda ditëve.E kjo ka lënë shumë projektligje të pavotuara, raporton KTV.
Një ndër to është edhe “Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2018”.Sipas Demush Shashës nga Instituti EPIK, rrezikohet humbja e 90.5 milionë euro fondeve nga Bashkimi Evropian.“Në këtë drejtim, duhet nënvizuar se afati përfundimtar për ratifikimin e marrëveshjes IPA 2018 është 31 dhjetori 2019. Rrjedhimisht, ratifikimi i marrëveshjes mund të bëhet nga legjislatura e ardhshme e Kuvendit. Sidoqoftë, ky skenar do të kërkonte konstituimin pa vonesa të Kuvendit. Në këtë kontekst, mosratifikimi i marrëveshjes nga legjislatura aktuale apo vonesat në konstituimin e legjislaturës së ardhshme para datës 31 dhjetor 2019 rrezikojnë humbjen e 90.5 milionë eurove”, ka thënë Shasha.
Më tutje, Shasha ka shkruar se Kosova ka krijuar një trend të humbjes së fondeve në BE-ja, ku në gusht të 2018-s ka humbur mbi 43 milionë euro, e në qershor 2019 rreth 12 milionë euro.Ndërkaq, burime të KTV-së thonë që një prej arsyeve që kanë ardhur te vonesat e votimit të IPA-s është se zyra ligjore e Ministrisë së Integrimeve e ka vonuar një opinion ligjor për projektligjin, sepse do të votohej më herët.
LDK-ja është partia e vetme që ka kërkuar që para shpërbërjes së Kuvendit, të votohen fondet e IPA-s.Shasha ka folur edhe për emërimin e Komisionerit për Informim dhe Privatësi. Ai ka thënë që partitë po e zvarritin këtë proces.“Sa i përket Komisionerit për Informim dhe Privatësi, ka pasur përpjekje nga ana e partive në pushtet që të vazhdojnë kapjen e institucioneve të pavarura. Pas shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile dhe media, konkursi i parë u anulua. Sidoqoftë, partitë në pushtet qëllimisht kanë zvarritur emërimin e Komisionerit për të siguruar dështimin e tij”, ka thënë Shasha.Ndërkaq, nuk janë vetëm këto punë që nuk u kryen nga Kuvendi i Kosovës.Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, Kuvendi në sesionin pranveror ka përmbushur agjendën e tij vetëm 18 përqind.Edhe në vitin e kaluar, Kuvendi i Kosovës ka pasur një përqindje të ulët të përmbushjes së agjendës legjislative. KDI-ja, në raport për punën e Kuvendit, thekson se vetëm 42 përqind e agjendës është përmbushur gjatë 2018-s.