Driton Kuka ka ngritur me krenari nëntë gishta, pasi Distria Krasniqi të shtunën e fitoi të artën në Grand Slamin e Parisit.
Ishte medalja e nëntë e Distrisë në këtë ngjarje madhore, por për më tepër ishte e nënta e arta e Driton Kukës si trajner në Grand Slamin e Parisit. Dhe për të shënuar këtë arritje të rrallë, kryemjeshtri Kuka ngriti nëntë gishta në arenën “Bercy” të mbushur me afro 20 mijë shikues, derisa po bënte fotografi me kampionen e mahnitshme.
Nxënësit e Driton Kukës në fakt i kanë plot 19 medalje në Grand Slamin e Parisit. Dhe prej tyre plot nëntë janë të arta.
“Medaljet e arta në Paris, ku atmosfera dhe vlera e sportit të xhudos është në dritën më të bukur të saj, është e veçantë. Sinqerisht, krahasohet me të arta e Botërorit dhe të Olimpiadës”, ka thënë kryemjeshtri Kuka të dielën për KOHËN.
Ai vazhdimisht ka veçuar atmosferën në arenën “Bercy” që e bëjnë edhe më madhështore mijëra shikuesit, shumë prej tyre njohës të mirë të xhudos.
“Atmosfera impozante në një ndër qytetet më të bukura në botë, e në shtetin ku xhudo është ndër sportet më të popullarizuara, pastaj konkurrenca gjithmonë shumë e fortë, e bëjnë ndjenjën e së artës një përjetim të paharrueshëm për mua si trajner”, ka shtuar Kuka.
Trajneri me pesë medalje olimpike, prej tyre tri të arta, së fundi ka limituar numrin e garave ku merr pjesë, përkatësisht ku ulet në karrigen e trajnerit. Por garën e Parisit nuk e lëshon asnjëherë. Ka të bëj edhe me madhështinë që Grand Slami ka si ngjarje në botën e xhudos.


















