Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, sot bashkë me U.D. kryeshefin e KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për Projektin e Trajtimit të Ujërave të Zeza në Prishtinë.
Sipas kësaj ministrie, qëllimi i këtij memorandumi është rregullimi i detyrave dhe përgjegjësive të palëve nënshkruese për implementim të plotë dhe të suksesshëm të projektit për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë dhe përreth.
“Ky memorandum i hap rrugë fillimit të procedurave të implementimit të projektit, pasi që i qartëson kompetencat në mes të dy palëve dhe siguron zotimin e mjeteve nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit”.
“Nënshkrimi i këtij memorandumi sa është i rëndësishëm për fillimin e procedurave për një projekt të rëndësishëm sikur është trajtimi i ujërave të zeza, tregon edhe vendosmërinë në premtimet që u kemi dhënë partnerëve ndërkombëtarë që kanë përkrahur këtë projekt, që në këtë rast është Qeveria Franceze”, ka thënë Kuçi.
Memorandumi rrjedh si rezultat i Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë Franceze për bashkëpunim financiar. Këtij memorandumi i ka paraprirë edhe Marrëveshja e Implementimit.
Fondet e projektit përcaktohen në përputhje me ndarjen buxhetore të Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit përkatës fiskal, ku nga ndarja buxhetore e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit u vihen në dispozicion Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” dhe vënia në dispozicion e fondeve kërkon një bashkëpunim dhe ndërveprim të vazhdueshëm të palëve për ta zbatuar projektin për trajtimin e ujërave të zeza në tërësi.
















