Nënshkruhet marrëveshja – Kosova e Shqipëria do të financojnë 16 projekte shkencore me nga 20 mijë €

E publikuar: 14/04/2023 14:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi, kanë nënshkruar Programin e punës në zbatim të Marrëveshjes së bashkëpunimit shkencor mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Me këtë marrëveshje, 16 projekte të studiuesve nga Kosova dhe Shqipëria do të bashkëfinancohen nga të dy qeveritë me 20 mijë euro secili.

Ministrja Arbërie Nagavci, tha se projektet do të fokusohen në fusha me rëndësi për të dyja vendet, si shëndeti, shkencat humane e albanologjike, burimet natyrore, ndryshimet klimatike etj.

Ajo ka sqaruar se thirrja për aplikim me projekte do të shpallet publikisht më 24 prill, ku do të kenë mundësi të aplikojnë me projekte të përbashkëta hulumtues dhe punonjës shkencorë nga dy anët e kufirit shqiptar.

“Kam kënaqësinë që bashkë me Ministren Kushi të hedhim firmën në një dokument me rëndësi për kërkimet dhe avancimin e përbashkët shkencor. Në vijim të bashkëpunimit të suksesshëm që solli lansimin e Abetares së parë unike kombëtare vitin e kaluar, si dhe bashkëpunimeve të tjera të realizuara dhe në proces, sot nënshkruajmë marrëveshjen e bashkëpunimit shkencor mes Kosovës dhe Shqipërisë, e cila hap mundësi të reja për hulumtuesit shkencorë nga Kosova dhe Shqipëria”.

“Sot çojmë një hap më tej bashkëpunimin e nisur vite më parë, duke u zotuar për mbështetje të shtuar të projekteve shkencore të ndërmarra bashkërisht nga kërkuesit e Kosovës dhe Shqipërisë.  Marrëveshja që nënshkruajmë sot zgjeron hapësirën e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, duke shtuar numrin e projekteve që do të mbështeten në 16, dhe duke ofruar më shumë mbështetje financiare, me 20 000 euro për secilin projekt fitues, që zgjat 2 vite dhe mbulohet në mënyrë të barabartë nga dy Ministritë tona të Arsimit”.

“Marrëveshja e sotme po ashtu specifikon disiplinat shkencore të cilat janë me interes për dy vendet tona, si shëndeti, shkencat humane e albanologjike, burimet natyrore, ndryshimet klimatike etj. Për këtë qëllim, do të lëvizet me ritme të shpejta, në mënyrë që puna të nisë pa humbur kohë.  Konkretisht, thirrja për aplikim me projekte do të shpallet publikisht më 24 prill, pra brenda 10 ditësh prej sot, ku do të kenë mundësi të aplikojnë me projekte të përbashkëta hulumtues dhe punonjës shkencorë nga dy anët e kufirit shqiptar”.

“Projektet do të përzgjidhen në tetor 2023, dhe do të nisin implementimin në janar 2024.  Të vetëdijshëm për rëndësinë që ka nxitja dhe stimulimi i kërkimeve të përbashkëta, shpreh bindjen se rezultatet konkrete të kësaj nisme do t’i shohim të konkretizuara në arritje madhore mbarë-kombëtare”.