Është nënshkruar kontrata për rinovimin e stadiumit të Gjilanit, ka njoftuar kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni. Gjithashtu detaje janë dhënë edhe nga Daulina Osmani, Zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë e Kosovës.
Sipas numrit një të komunës së Gjilanit, ky projekt shënon fillimin e një epoke të re për sportin në këtë komunë.
“U nënshkrua kontrata për rinovimin e stadiumit të Gjilanit! Shumë shpejt nisin punimet dhe nis edhe një epokë e re për sportin në Gjilan. Urime të gjithë sportdashësve dhe sportistëve, ky është stadiumi që e kemi meritu prej kohësh! Shpejt, shumë shpejt… shihemi në stadiumin e ri!”, ka shkruar Hyseni në rrjetin social Facebook.
Disa ditë më parë, Hyseni kishte bërë të ditur se Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) kishte marrë vendimin që hap rrugën për realizimin e këtij projekti madhor, duke zhbllokuar procedurat e prokurimit që kishin penguar nisjen e punimeve.
Hyseni kishte theksuar se stadiumi i ri do të jetë sipas standardeve të UEFA-s.
Për të njëjtin rast ka shkruar edhe Daulina Osmani, Zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë e Kosovës. “Gjithçka gati! Stadiumi i Gjilanit po fillon punimet. Sot është nënshkruar kontrata me operatorin ekonomik për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Gjilan. Vlera e investimit është 12,783,110 milionë euro. Ky stadium nuk është thjesht një projekt infrastrukturor për Gjilanin, por është pjesë e identitetit të qytetit. Një hapësirë ku gjenerata të tëra janë lidhur me futbollin, emocionin, pasionin dhe historinë. Pas shumë vitesh ndalesa, mungesë serioziteti dhe profesionalizmi, punimet nisin tash dhe pritet të përfundojnë brenda 24 muajve. Projekti ka hyrë në binarë të qartë dhe do të ndiqet me përkushtim nga MKRS dhe të gjithë akterët përkatës”, ka theksuar Osmani. “Faleminderit secilit individ, zyrtar shtetëror, komunitetit të futbollit dhe tifozëve për angazhimin dhe këmbënguljen e tyre në realizimin e këtij projekti”.


















