Çaushi: Të pakënaqurit që po sulmojnë objektet le të na bashkohen në protesta

E publikuar: 12/03/2016 16:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

E fundit që ka reaguar ndaj sulmeve në zyrat e Presidencës është Lëvizja Vetëvendosje. Nënkryetari Driton Çaushi, ka thënë se sulmet ndaj institucioneve janë të papranueshme dhe të dënueshme. Mirëpo, ai ka bërë thirrje të pakënaqurve që po bëjnë veprime të tilla t’i bashkohen Vetëvendosjes në protesta kundër Qeverisë.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, ka thënë se të pakënaqurit që po sulmojnë institucionet e Kosovës duhet t’i ndalin këto veprime dhe të bashkohen në protesta për ta rrëzuar Qeverinë antikushtetuese.

“Ne sërish iu bëjmë thirrje të gjithë të pakënaqurve që në vend se të ndërmarrin veprime të tilla, të bashkohen me ne në protesta e demonstrata deri në largimin e kësaj qeverie antikushtetuese”, ka shkruar Çaushi, në reagim.

Këto komente, Çaushi i ka bërë në një reagim pas sulmit në zyrat e Presidencës duke e quajtur të papranueshëm dhe të dënueshëm një veprim të tillë.

“Aktet e tilla si sulmi ndaj Zyrës së Presidentes janë të papranueshme dhe të dënueshme.Ministria e Brendshme dhe Policia duhet të vepronin pikërisht në raste të tilla, por pushtetit po i intereson ta përdorë Policinë vetëm që të shtypë protestat e të arrestojë opozitën”, ka thënë ai, në një reagim në FB.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të largohet sa më parë për t’iu kthyer legjitimiteti dhe normaliteti institucioneve.