Nën hetime 10 gjyqtarë e prokurorë

E publikuar: 10/11/2017 12:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas ndalimit të gjykatësit të Apelit Shkëlqim Miri, zbulohen detaje të tjera nga korrupsioni në sistemin e drejtësisë.

Sipas një dokumenti të siguruar nga Report TV, bëhet me dije se 10 gjyqtare dhe prokurorë janë nën hetim për korrupsion dhe fshehje pasurie gjatë 9 mujorit të 2017.

Emrat nuk publikohen ende për arsye hetimore.

reporttv.jpg

Ndërkohë sot u ndalua nga policia me urdhër të prokurorisë së krimeve të rënda gjyqtari i gjykatës së Apelit në Tiranë, Shkëlqim Miri.

Ndalimi i tij u krye në funksion të procedimit penal proaktiv të vitit 2017, për veprat penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Grupi hetimor kishte krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, për favorizim e një të dënuari për veprën penale të vrasjes me dashje dhe armëmbajtje pa leje, kundrejt kërkimit dhe marrjes së përfitimeve monetare të paligjshme.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Shkallës së Parë e ka deklaruar fajtor autorin dhe dënuar me 20 vjet burgim. Në Gjykatën e Apelit Tiranë është ndryshuar klasifikimi i veprës penale nga “Vrasje me dashje” në “Plagosje e rëndë” dhe aktualisht autori është liruar nga burgu.

Në këtë operacion, në bazë të dyshimeve të bazuara në provat e siguruara gjatë hetimit pro-aktiv, ka rezultuar dhe janë dokumentuar një sërë veprimesh dhe lidhjesh të dyshimta që për marrjen e këtij vendimi, gjyqtari Miri ka marrë një sasi të konsiderueshme parash.

Në kontrollin e banesës me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të kryer nga strukturat e Hetimit të Korrupsinit në Policinë e Shtetit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 174,810 euro; 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë.