Më 26 maj, në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kosova do të përballet me akuzat për ngjarjet e fundit në Kumanovë, si dhe për vonesat në krijimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës
Deklarimet e ministrit të Jashtëm rus në Serbi, se Kosova është përgjegjëse për ngjarjet në Maqedoni dhe se shqiptarët po destabilizojnë Ballkanin duke kërkuar një “Shqipëri të madhe”, priten të barten edhe në seancën e Këshillit të Sigurimit nga ana e ambasadorit rus në OKB.
Për t’u ballafaquar me këto akuza ka pasur diskutime për disa ditë brenda institucioneve të Kosovës se kush duhet të shkojë në Këshillin e Sigurimit.
Zv.ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi ka konfirmuar për Top Channel se zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi do të shkojë i vetëm në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork.
“Kosovën do ta përfaqësojë ministri i Jashtëm e njëkohësisht zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, i cili do të reflektojë mbi tremujorin e kaluar, sukseset, sfidat dhe gjithçka duhet të raportohet. Natyrisht që, disa nga temat që do të diskutohen janë edhe ato të ditëve të fundit: situata në Kumanovë, nevoja për krijimin e Gjykatës Speciale. Të gjitha këto do të jenë edhe në raportin e palës kosovare para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit”, u shpreh Selimi
Selimi tha se, në këtë seancë, presin që propagandues të Serbisë të përpiqen të drejtojnë gishtin nga Kosova për ngjarjet e fundit, por shtoi se Kosova edhe kësaj here do të dëshmojë me argumente se është histori suksesi dhe faktor paqeje në Ballkan.
Njohës të zhvillimeve politike në Kosovë vlerësojnë se, përfaqësuesit kosovarë duhet të bëjnë përgjegjëse qeverinë e Maqedonisë për zhvillimet në Kumanovë, e jo të pranojnë akuzat për atë ngjarje.
“Besoj se janë dy çështje të rëndësishme, që Kosova duhet t’i evitojë medoemos nga kjo mbledhje e Këshillit të Sigurimit. E para ka të bëjë me mospranimin e Kosovës, që ta shndërrojë në debat të Këshillit të Sigurimit çështjen e Gjykatës Speciale. Së dyti është çështja e Kumanovës. Ne patëm sinjale të qarta nga ministri i Jashtëm rus, nga ministri i Jashtëm serb dhe nga Presidenti i Maqedonisë, për të vënë te Kosova të gjithë barrën e përgjegjësisë mbi atë që ndodhi në Kumavovë. Kjo gjë nuk duhet të lejohet të ndodhë. Kosova duhet të reagojë aty dhe duhet të drejtojë gishtin nga qeveria e Maqedonisë dhe të tregojë se ajo ngjarje është e inskenuar”, tha Dren Doli, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
Doli tha se, institucionet kosovare duhet të kenë të qartë mënyrën e përfaqësimit nëpër seancat e Këshillit të Sigurimit dhe, sipas tij, Kosova duhet të dërgojë atje zyrtarë të nivelit të njëjtë me shtetet e tjera pjesëmarrëse, përkatësisht Serbisë. /express/