Mungesa e rasteve të korrupsionit të lartë në gjyqësi e prokurori, mungesa e dënimeve me burg efektiv për rastet e korrupsionit, numri i madh i lëndëve të pazgjidhura të korrupsionit, mungesa e kërkesave të prokurorisë për sekuestrim e konfiskim të pasurisë së fituar përmes veprave penale të korrupsionit, numri i madh i seancave gjyqësore që shtyhen, janë disa nga gjetjet e raportit preliminar të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), pas monitorimit të rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, për muajt korrik, gusht e shtator të vitit 2016, shkruan sot Koha Ditore.
Këto gjetje janë prezantuar në tryezën e diskutimit me titull “Mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit dhe politikave në luftimin e korrupsionit”, e cila është organizuar nga IKD-ja në kuadër të “Javës kundër korrupsionit 5-9 dhjetor”, që është mbajtur të martën.
Në këtë tryezë, Ehat Miftaraj nga IKD-ja ka prezantuar të dhënat preliminare sa u përket rasteve të korrupsionit, që ata i kanë përmbledhur në një raport të hartuar nga monitorimi i rasteve.

















