Në pritje të 2030, Kosova tashmë ka treguar fuqinë e saj në Lojërat Mesdhetare

E publikuar: 19/02/2026 00:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lojërat Mesdhetare janë një ngjarje multisportive tradicionale që mbahet çdo katër vite mes vendeve anëtare të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, ku sportistë nga tre kontinente – Evropa, Azia dhe Afrika – garojnë në dhjetëra sporte olimpike e jo vetëm. Programi i vlefshëm për këtë vit përfshin mbi 24 sporte, nga atletika e noti deri te sportet luftarake dhe ekipore, dhe në edicionet e fundit ka pasur mbi 3,000 atletë të angazhuar.

Për Kosovën, roli në këtë event ka qenë në rritje që nga debutimi i saj në Lojërat Mesdhetare në vitin 2018, ku sportistët kosovarë fituan medalje kryesisht në xhudo dhe boks, duke vendosur kështu vendin njëherë e përgjithmonë në hartën konkurruese rajonale.

Ajo ka vazhduar të rritet si fenomene sportive dhe institucionale, duke i dhënë sportistëve të rinj mundësi të shkëlqejnë në një arenë ndërkombëtare dhe duke krijuar lidhje të reja me federatat e sporteve nga vendet tjera mesdhetare.

Për Kosovën, Lojërat Mesdhetare nuk janë thjesht një garë sportive, por një mundësi për të treguar potencialin e saj, përkushtimin e sportistëve dhe frymën kombëtare. Sportistët kosovarë, sidomos në xhudo, boks dhe atletikë, kanë shkëlqyer që nga debutimi i vendit në këtë event, duke fituar medalje që kanë bërë të valëviten flamurin e Kosovës në podiumet ndërkombëtare dhe kanë nxitur krenari te brezat e rinj.

Emrat si Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe të tjerë janë bërë simbole të suksesit kosovar, duke treguar se edhe një shtet i ri mund të sfidojë vendet më të mëdha në rajon. Të dyja, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, fituan medalje të arta në Lojërat Mesdhetare të vitit 2018 në Tarragona (Spanjë). Në këtë event, Nora fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 57 kg, ndërsa Distria fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 52 kg, duke u bërë dy prej medalisteve kryesore të Kosovës në këtë lojëra.

Laura Fazliu dhe Loriana Kuka ngritën në ajër medalje të arta, ndërsa Flaka Loxha, Akil Gjakova dhe boksieri Shpejtim Bajoku sollën medalje bronz për vendin tonë. Për Kosovën kjo ishte një arritje e jashtëzakonshme, medalje në dy sporte dhe një angazhim i vlefshëm që e radhiti vendin ndër shtetet me rezultat të shquar në këtë event.
Në total, deri më tani, Kosova ka fituar dhjetë medalje në Lojërat Mesdhetare, gjashtë të arta, një argjend dhe tre bronz, duke treguar se edhe një vend i ri mund të krijojë histori sportive në arenën ndërkombëtare dhe të inspirojë brezat e rinj të sportistëve tanë.

Për herë të parë, organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 në Prishtinë do t’i japë sportistëve kosovarë mundësinë të konkurrojnë në shtëpinë e tyre, ndërsa flamuri i Kosovës do të valvitet jo vetëm në podium, por edhe në stadiumet dhe sheshet e qytetit, duke lënë një trashëgimi që do të frymëzojë gjenerata të reja.