Organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Gjatë kësaj jave do të prezantojnë punimet e tyre rreth 300 studiues. Tema e sotme në kuadër të Javës së Shkencës, është “Standardet në arsimin e lartë dhe kërkimet shkencore”. Ky aktivitet shkencor do të zgjasë deri më 15 maj, ku pritet të hapë perspektiva të reja zhvillimi për shkencëtarët dhe institucionet kosovare.
Java e Shkencës në Kosovë, ka për qëllim të prezantojë dhe të promovojë të arriturat shkencore në Institutet shkencore të Kosovës dhe Universitetin e Prishtinës dhe në të gjitha institucionet e tjera në Kosovë e rajon. Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se kërkimi dhe hulumtimi shkencore janë një element i rëndësishëm i zhvillimit dhe progresit të secilit shtet. “Java e shkencës është një mundësi e shkëlqyeshme për të parë kontributet e shkencëtarëve të rinj, për të promovuar shkencëtar të rinj dhe të nxisim hulumtimet shkencore”, tha ministri Bajrami.
“Java e shkencës do të na mundësojë që ne duke e pare rrugën tonë, rezultatet tona të kërkimeve shkencore, të bëhemi ngadalë edhe pjesë e rrjetit ndërkombëtar të shkencës. Ne kemi punuar që të ngrisim standardet e shkencës, sepse krahas reformës akademike, jemi duke futur edhe komponentin shkencore dhe kemi punuar që shkencëtarët e rinj të fokusohen në fushat për të cilat ka më shumë nevojë zhvillimi ekonomik, në fushat ekzakte, teknologjike dhe të arriturave të reja shkencore.”
Kryetarja e Këshillit Shkencor në Ministrinë e Arsimit, Myzafere Limani, tha se programi kombëtar i shkencës adreson sfidat me të cilat ballafaqohet shkenca dhe hulumtuesit në vendin tonë.
“Unë besoj se kemi nevojë për një shoqëri që është përkrahëse e vlerave shkencore. Këshilli Shkencor nga ky vit do të mbështesë edhe publikimet cilësore shkencore në revista ndërkombëtare me impakt faktor. Janë ndërmarrë hapat e parë për realizimin e një platforme unike të librit elektronik ne nivel vendi, ku do të vendosen publikime që kanë qasje të lirë, që nuk paraqesin pengesa në aspektin e te drejtave të autorit.”
Tema e sotme në kuadër të Javës së Shkencës, është “Standardet në arsimin e lartë dhe kërkimet shkencore”. Java e shkencës do të zgjasë deri më 15 maj, ku pritet të hapë perspektiva të reja zhvillimi për shkencëtarët dhe institucionet kosovare. Kjo është hera e shtatë që në Kosovë organizohet “Java e Shkencës”.