Në Presidencë nuk nguten: Ju njoftojmë kur të vendoset për seancën e Kuvendit

E publikuar: 18/07/2017 15:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kanë kaluar më shumë se dhjetë ditë qëkur KQZ-ja ka bërë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 11 qershorit. Konstituimi i Kuvendit ende nuk është bërë. Presidenti Thaçi ka kohë deri më 8 gusht për t’iu dërguar ftesë deputetëve të zgjedhur për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Ardian Arifaj, këshilltar i Presidentit, të martën, për Express nuk ka mundur të precizojë se kur do të caktohet seanca.

“Ende nuk është vendosur se kur do të mbahet seanca konstituive. Kurdo që të merret vendimi, do t’ju njoftojmë. Gjithçka do të përfundohet brenda afateve kohore”, ka thënë Ardian Arifaj, këshilltar politik i presidentit Thaçi.

E ndërkohë zyrtarë nga koalicioni PAN po deklarojnë se ky koalicion i ka votat për krijimin e Qeverisë.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka thënë për Express se kryesia e Kuvendit ende nuk ka marrë ftesë nga ana e presidentit për thirrjen e seancës konstituive.

“Ne ende nuk kemi marrë asnjë njoftim nga ana e presidentit. Zoti Haradinaj ka deklaruar se i ka votat, andaj dhe ne duam të besojmë që votat janë. Deputetët tanë kurdo që të thirret seanca ata do të jenë aty. Neve kur të na thërrasin, ne do të jemi aty”, ka thënë Haliti të martën për Express.

Presidenti Thaçi ka afat deri më 8 gusht të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të dalë nga vota e 11 qershorit.

Ndërkaq, sipas Rregullores së punës të Kuvendit të Kosovës, kjo seancë e parë legjislative organizohet nga Kadri Veseli si kryetar i Kuvendit në legjislaturën e kaluar dhe Kryesia e Kuvendit e po asaj legjislature. /GazetaExpress/