Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sonte në takim Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe të Dërguarin e posaçëm të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anžej Frangeš, me të cilët ka biseduar për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas njoftimit nga Qeveria, kryeministri Kurti ka thënë se veprimet e qeverisë së tij janë në shërbim të sundimit të ligjit dhe që marrin në konsideratë brengat e partnerëve ndërkombëtarë për sigurinë dhe paqen.
“Kryeministri Kurti u shpreh se vendimi dhe veprimet e qeverisë janë në shërbim të sundimit të ligjit dhe marrin parasysh brengat e partnerëve ndërkombëtarë për sigurinë dhe paqen. Ndërkaq sa i përket bojkotit të institucioneve nga Lista Serbe, tha se është i nxitur dhe orkestruar nga Beogradi që ka vazhduar qasjen destruktive në marrëdhëniet me Kosovën dhe se është përpjekje për ta mbuluar mosgatishmërinë për diskutime rreth elementeve të marrëveshjes kornizë që çon drejt normalizimin të plotë të raporteve. Në anën tjetër, Republika e Kosovës e ka dëshmuar gatishmërinë dhe konstruktivitetin e saj në këtë proces”, thuhet në komunikatën nga Zyra e Kryeministrit, raporton Gazeta Express.
Kurti i ka njoftuar emisarët për zbatimin e shkallëzuar të vendimit të qeverisë për targat ilegale.