Në nëntor nis ndërtimi i shtëpive për serbët në Mushtisht (Video)

E publikuar: 24/09/2016 10:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

 Në fund të tetorit, ose fillim të nëntorit pritet të nisë ndërtimi i shtëpive të serbëve në Mushtisht të Suharekës.

Kjo periudhë kohore për nisjen e procesit të ndërtimit të shtëpive është caktuar nga komisioni për përgatitje të kthimit të 10 familjeve serbe në Mushtisht.

Mbledhja e komisionit është mbajtur dje, por kryetari i Komunës së Suharekës Sali Asllanaj thotë se para nisjes së ndërtimit duhet të kërkohet leje në Drejtorinë e Urbanizmit.

“Në Drejtorinë e Urbanizimit nuk ka kurrfarë kërkese për leje për ndërtimin e këtyre objekteve. Natyrisht do të duhej që procesin e kthimit ta bëjmë me procedura ligjore, të jepet leja ndërtimore nga urbanizmi,” tha Asllanaj për KALLXO.com.

Ai tregoi se përkrah të drejtën e kthimit në pronën e tyre të banorëve serbë.

“Procesi i kthimit është një proces i cili është përkrahur miratuar nga Qeveria e Kosovës, është Ministria për Kthim që ka për obligim me kryer atë punë dhe unë si kryetar i komunës në asnjë mënyrë nuk jam kundër vullnetit dhe kundër së drejtës ligjore që ka dikush për kthimin në pronën e vet. Kjo është një qasje e komunës shumë pragmatike dhe shumë ligjore,” tha Asllanaj.

Megjithatë, Asllanaj deklaroi se kthimin e vështirëson mosgatishmëria e banorëve shqiptarë të Mushtishtit për të pranuar aty ish-bashkëfshatarët serbë.

“Disponimi i qytetarëve siç pe shihni është i tillë dhe në këtë aspekt e vështirëson shumë punën e kthimit të banorëve, gati e bën të pamundur, sepse një kthim pa atmosferë të mikpritjes dhe të një tolerancë ndëretnike do të ishte vërtet i keq,” tha Asllanaj.

Tre autobusë me banorë serbë të larguar nga Mushtishti pas luftës, më 28 gusht tentuan të vijnë për ta vizituar fshatin dhe kishën ortodokse të tij, por u kthyen pa e kryer vizitën, pasi banorët shqiptarë të këtij fshati protestuan kundër kësaj ardhjeje.

Banorët shqiptarë të fshatit i akuzojnë ish-fqinjët e tyre serbë se u përfshinë në fushatat e vrasjeve të njerëzve të fshatit, djegies së shtëpive dhe plaçkitjeve gjatë kohës së luftës së vitit 1999.

Por edhe serbët e Mushtishtit ankohen për dëbimin, vrasjet dhe shkatërrimin e shtëpive dhe kishës së tyre nga shqiptarët.