Nga Xhafer Shatri
Historikisht, çdo luftë përfundon në një tavolinë. Poashtu historikisht, çdo komb në bisedimet luftëpërmbyllëse mbështetë delegacionin e tij dhe beson në të. Në Kosovë ka ndodhur dhe po ndodhë e kundërta. As 10% të shqiptarëve të Kosovës nuk i besojnë Hashim Thaçit, shefit të imponuar në negociatat me Serbinë.
Arsyet kryesore janë dy:
1. Në të gjitha bisedimet e gjertanishme, ku në emër të Kosovës ka vendosur Hashim Thaçi, siç është rasti për kufijtë me Malin e Zi dhe në negociatat me Serbinë në Bruksel e gjetiu, Kosova është ndarë si humbëse e thellë.
2. Në këto negociata ka dhe një problem tepër serioz që quhet konflikt interesi: Kryepërfaqësuesi i Kosovës në negociatat me Serbinë, Hashim Thaçi, është akuzuar ndërkombëtarisht si shef i një grupi të organizuar kriminal. Raporti i Këshillit të Evropës e konfirmon këtë. Dhe, siç dihet, Gjykata Speciale është themeluar në saje të të gjeturave të këtij Raporti.
Asnjë individ me minimumin e ndershmërisë dhe sensit për historinë nuk do t’ia lejonte vetës ta përfaqësojë vendin e tij, në çfarëdo fushe qoftë, me një barrë të tillë akoma të pasqaruar përmes një gjykimi të paanshëm.
Në këtë kuptim, në negociatat me Serbinë, Hashim Thaçi, shumë më tepër se për fatin e Kosovës, shqetësohet dhe negocion për fatin dhe lëkurën e tij. Prandaj, në shkelje të Kushtetutës, ai, me përdhunë, e ka uzurpuar postin e kryenegociatorit me Serbinë dhe po bën të pamundurën për të eliminuar politikisht, pa zgjedhur mjete, çdo rival politik që i del në udhë.
Në këto përpjekje të suksesshme shtetrrënuese ndihmën më të madhe kryemujsharit të Kosovës ia ka dhënë kryetari i përdhunshëm i LDK-së, dhelpra bishtdjegur, Isa Mustafa.