Familjes Salihu nga Gjilani, tash e 5 vjet i është bërë e pamundur që djalin e saj ta nxjerrë për shëtitje.
Blendi, djali i vetëm i kësaj familjeje, vuan nga disa sëmundje, të cilat së fundi e kanë bërë atë të palëvizshëm.
Kjo pasi që rruga “Kumanova”, ku jeton familja, është e paasfaltuar, raporton KTV.
Babai i tij, Valdet Salihu, thotë se dhjetëra herë ka paraqitur rastin e tij dhe ka kërkuar nga komuna ta rregullojnë rrugën.
Mungesa e kushteve elementare, mungesa e barnave dhe mosinteresimi institucional kanë bërë që Blendi të qëndrojë i mbyllur.
Babai thotë se i ka kërkuar ndihmë komunës edhe për t’i siguruar barnat esenciale por mori vetëm premtime shumë herë.
Pavarësisht që kjo familje thotë se e ka njoftuar komunën me dhjetëra herë, zyrtarët komunalë nuk kanë dijeni për këtë rast.
Sa i përket rrugës, thonë se kanë nisur punimet në të.
Familja Salihu thotë se mjekët iu thanë që shërimi i Blendit mund të bëhet në Francë dhe kushton 10 mijë euro, shumë të cilën ata nuk po mund ta sigurojnë.

















