Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se, edhe përkundër situatës së rënduar në gjithë vendin të krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19, me angazhimin maksimal të menaxhmentit dhe punëtorëve TC “Kosova B” ka arritur që me sukses të jashtëzakonshëm të përmbyllë muajin qershor me një realizim të planit të prodhimit prej 116 %.
Në këtë drejtim, u.d. i Drejtorit Ekzekutiv në TC “Kosova B”, Jonuz Saraçi tha se më datë 31 maj 2020 ka filluar riparimi dyzet ditorë i Bllokut B1. Sipas planit, startimi, apo fillimi i punës së Bllokut B1 ka qenë i paraparë të ndodhë më 11 korrik 2020. Mirëpo, pas një riorganizimi të mirë të punës dhe pas një angazhimi të shtuar të punëtorëve, përkundër pandemisë dhe problemeve përcjellëse kemi arritur që riparimin ta përfundojmë për 26 orë më herët se sa që ishte planifikuar.
Duhet theksuar, shtoi ai, se krahas punës në B1, ku shumica e punëtorëve ishin të angazhuar, sfidë tjetër përbënte edhe angazhimi në mirëmbajtejn dhe operimin në Bllokun B2. Kushtet në të cilat punëtorët punonin vërtet ishin të rënduara, për shkaqet e theksuara më lartë, por përkundër saj rezultati dhe suksesi nuk kishte munguar.
“Në Bllokun B2 për muajin qershor kishim tejkalim të planit për 16 për qind, pra kishim një realizim prej 116 për qind të planit të prodhimit. Kjo ishte vërtet një sukses i mirë, sepse të tejkalosh prodhimin në këto kushte nuk është edhe aq lehtë.
Për më tepër, Jemi në pritje që edhe për muajin korrik të kemi rezultate të mira në prodhim si dhe tejkalim të planit. Deri më tani nuk kemi ndonjë problem, por shpresojmë se rezultatet do të përmbushen sipas planit. Nuk mundem pa i falënderuar të gjithë punëtorët që ishin angazhuar gjatë kësaj kohe, por edhe stafin udhëheqës të tyre që nuk kursyen mundin dhe djersën për të arritur rezultatet e lartëcekura. Së bashku do të vazhdojmë drejt sukseseve të tjera”-tha z.Jonuz Saraçi, ushtrues detyre i Drejtorit Ekzekutiv në TC “Kosova B”.
Me respekt,
Departamenti për Marrëdhënie
me Publikun dhe Komunitete
KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS