Në Maqedoni kanë dështuar bisedimet mes partive rreth zbatimit të marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike.
Pas bisedimeve maratonë që kanë përfunduar në orët e para të mëngjesit të sotëm, palët nuk kanë arritur marrëveshje për formën e ligjit, i cili do të ndalonte publikimin e materialeve të përgjuara.
Pas kësaj, janë bllokuar edhe pikat e tjera të marrëveshjes.
“Ishte ditë e keqe, shpresoj që nesër të jetë ditë më e mirë. Ende është gjithçka e mundur. Jam i dëshpëruar, por ka gjasa të respektohet marrëveshja. Është e qartë se nuk po kuptohet serioziteti i situatës. Duhet lidership për normalizimin e situatës dhe perspektivës evropiane të vendit”, ka deklaruar komisionari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë i BE-së, Johannes Hahn, i cili ka ndërmjetësuar bisedimet mes katër liderëve partiakë, atij të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.