Në Malishevë u shënuan dy raste të thumbimit nga rriqrat

E publikuar: 15/02/2016 13:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë javës së kaluar janë shënuar dy raste të thumbimit nga rriqrat, mirëpo pa ndonjë rrezik të infektimit me EHKK.
Raste e para të thumbimit nga rriqrat, i ka konfirmuar drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Hajdin Berisha, sipas të cilit, nuk ka vend për ndonjë shqetësim, pasi komuna është e angazhuar maksimalisht në marrjen e masave parandaluese.

Rastet e para, janë regjistruar në Bellanicë dhe Banjë, por asnjë rast nuk është shqetësues, pasi asnjëri rast nuk është i infektuar me ethet hemorragjike krime kongo (EHKK), transmeton Koha.net.
Lidhur me luftimin e EHKK, drejtori Berisha, tha për Zyrën për Informim Publik, se “pavarësisht këtyre rasteve të para, Komuna e Malishevës, do të jetë e angazhuar maksimalisht në marrjen e masave parandaluese, duke filluar nga vetëdijesimi i qytetarëve përmes ligjëratave dhe formave të ndryshme, pastaj repelimit të kafshëve, dezinsektimin e zonave endemike dhe zbatimin e plotë të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e EHKK”.

“Angazhimi ynë do të jetë edhe më i madh se vitet e mëparshme, edhe pse në dy vitet e fundit nuk kemi pasur rasteve të vdekjeve, madje vitin e kaluar nuk kemi pasur asnjë rast të infektimit, por ne nuk do të ndalemi së punuari në luftimin e këtij virusi, që bartet përmes rriqrave “, tha Berisha.