Abdixhiku: Në LDK nuk ka konflikt mes brezash

E publikuar: 16/03/2018 00:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Abdixhiku: Haradinaj po qeveris si të jetë në shtëpi

23:51 – Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin Ramush Haradinaj për shpenzimin, siç thotë ai, të pamenduar të rezervave shtetërore.

Sipas Abdixhikut, Haradinaj po qeverisë me buxhetin si të jetë në shtëpi.

“Rezerva shtetërore ka shkuar drejt fundit në dy muajt e parë. Janë dhënë para si prej xhepit. Institucionet po menaxhohen si të qenit në shtëpi, vendime pa menduar dhe më pas po dalin të jenë të gabuara”, ka thënë Abdixhiku në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka kritikuar vendimin për dhënien e një milionë eurove për pagesën e rrymës për veriorët dhe planifikimin për ndarjen e një milionë eurove për shënimin e përvjetorit të 550-të të vdekjes së Skëndërbeut. Sipas Abdixhikut, më mirë do të ishte të ndaheshin këto para për barna dhe për mjekësi.

Abdixhiku ka shtuar se sapo të përfundojë votimi i demarkacionit, do të ketë “organizim më të mirë opozitar për të ndalur keqqeverisjen në vend”.

Ai ka komentuar edhe ndarjen e Vetëvendosjes dhe largimin e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, nga kjo parti. Nuk ka pranuar të bëjë ftesë, por ka shtuar se nëse Ahmeti ndryshon bindje dhe nuk i përket më krahut të majtë mund t’i bashkohet LDK-së.

“LDK i ka dyert e hapura për çdo njeri që mund të kontribuojë në të mirë të Kosovës”, është shprehur Abdixhiku.


Abdixhiku do që Qeveria të dorëhiqet nëse demarkacioni s’kalon të martën

Lumir Abdixhiku, deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, thotë se po presin nga shumica që të sigurojë votat nga radhët e veta për demarkacionin.

“Gjithsesi na vjen mirë që një kauzë po shkon drejt fundit, dhe do të donim që të martën të kryhet kjo që na ka mbajtur peng në këto tri vite”, ka thënë Abdixhiku në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se “si duket njerëzit e AAK-së kanë problem të lexojnë marrëveshjet e arritura”, duke aluduar në debatin në mes të kësaj partie dhe LDK-së rreth asaj nëse duhet të përfshihet “Raporti Bulliqi” në Ligj.

“Ligji tashmë është procedurë shtetërore, sepse ka kaluar si dokument në të gjitha procedurat e Kuvendit, e nuk është më çështje e LDK-së. Çdo përpjekje tjetër për ta ndryshuar atë është tentim për të blerë kohë”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka përsëritur qëndrimin se Kosova është para dy alternativave, të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit dhe të hapen mundësitë për procedura për liberalizim të vizave për kosovarët, e në të kundërtën Qeveria duhet të dorëhiqet, ngase me këtë kauzë, sipas tij, kishte ardhur në krye të shtetit.

“Në fakt, unë mendoj se kjo Qeveri duhet të bie për shumë arsye”, ka thënë Abdixhiku.


23:55 – Abdixhiku ka thënë se nuk ka konflikt mes brezash në LDK.

“Ne të rinjtë nuk jemi të huaj në LDK, kemi marrë përkrahjen e votuesve të LDK-së, mbrojmë qëndrimet e LDK-së. Ne ndajmë të njëjtat qëndrime edhe me nënkryetarët Veliu e Haziri, edhe me të tjerët dhe i diskutojmë ato”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë se tash në LDK janë ta vetëdijshëm për dy gjëra.

“Së pari se një LDK e unifikuar si kjo që është tani është i nevojshëm për të marrë primatin e qeverisjes dhe të kemi mundësi që të kontribuojmë në vend. Dhe e dyta, jemi të vetëdijshëm se do të ketë intervenime nga jashtë për të përçarë e prishë këtë unitet. Ne po shohim lajme nga media kryesisht të pushtetit që synojnë të krijojnë përçarje, por nuk jemi të marrë, i diskutojmë ato gjëra”, ka thënë Abdixhiku.