Një qytetar ka dërguar në redaksinë e gazetës ‘Shqip’ online vrasjen e një shpendi. Ai denoncon rastin në fjalë, duke thënë se ngjarja ka ndodhur përpara dy muajsh në Kukës.
“Është vrarë para 2 muajsh në një fshat të Kukësit. Nuk e di, nuk kam informacion nëse është shpend i rrallë, apo jo?! Gjithsesi me vjen keq kur shikoj kafshë të rralla që vriten nga gjuetia e pakontrolluar!”, shkruan denoncuesi, duke kërkuar ruajtjen e anonimatit.
Ekspertët thanë se bëhet fjalë për një shkabë, e cila është në zhdukje në të gjithë botën.
“Ne e dinim që shkabat nuk ekzistonin më në Shqipëri, pasi ishin zhdukur. Ardhja e saj këtu do të ishte një lajm shumë i gëzuar, por vrasja përbën një krim. Ndoshta ajo ka ardhur që të ndërtojë një fole ”, thanë ekspertët.
Ditë më parë në mediat shqiptare u denoncua vrasja e një baldose dhe reagimet e qytetarëve kanë qenë të shumta. Pavarësisht kësaj, vrasja e kafshëve të rralla që ndodhen në Shqipëri, vazhdon të jetë një fenomen shqetësues dhe deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar.