Në Kosovë përdoret ilaçi që u pezullua në tregun e BE-së tre muaj më parë

E publikuar: 15/09/2024 20:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ilaçit, që iu pezullua autorizim-marketingu më 26 qershor nga Bashkimi Evropian dhe më 1 gusht nga vendi prodhues Serbia, vazhdon të rekomandohet për përdorim nga mjekët në Kosovë.

Sipas studimeve të Agjencisë Evropiane të Barnave, “Progesterone depo” i 250 mg që është përdorur nga shtatzënat për të parandaluar lindjen e parakohshme, nuk ka treguar efektivitet për këtë qëllim, dhe se rreziku i shfaqjes së kancerit në mitër është i mundshëm.

Teksa kjo agjenci ka theksuar që ky produkt të mos përshkruhet, KOHA ka kontaktuar me disa gra shtatzëna që kanë konfirmuar se gjinekologët vazhdojnë t’ua rekomandojnë atë.

Në mungesë të ilaçit në barnatore, ato gjatë muajit gusht dhe në shtator kanë paraqitur kërkesat edhe në grupe të ndryshme në rrjete sociale, duke treguar se këtë e bëjnë me sugjerim nga mjeku.

“Me rekomandim të gjinekologut e kërkova. Ndoshta për këtë arsye paska mungesë”, ka thënë një grua shtatzënë.

Në një nga postimet e fundit, bëhet e ditur se dy ampula të ilaçit janë gjetur diku në Ferizaj.

“Na duhen Progesteron 250 mg ampula, i kam gjetë 2 ampula në Ferizaj, po na duhen më shumë”, thuhet në një postim në rrjetet sociale.

E postimet e shtatzënave me pyetjet se ku mund ta gjejnë ilaçin, janë shoqëruar me dhjetëra komente, nëpër të cilat janë dhënë përgjigje se cilat barnatore e posedojnë atë.

“Kanë mbetë edhe dy copa në Prishtinë, të paktën në një barnatore, nëse nuk janë shitur që nga dje”, thuhet në një përgjigje në postim.

Disa nga farmacistet në barnatoret që ka vizituar KOHA, teksa kanë treguar për kërkesat e pacienteve për këtë produkt, janë shprehur të befasuara me faktin që kërkesat kanë ardhur me rekomandim të mjekëve në kohën kur ilaçi është i pezulluar për përdorim në BE.

Në Klinikën e Gjinekologjisë theksuan se nuk e përdorin këtë ilaç meqë i njëjti nuk është në listë esenciale.

Rreth përshkrimit të këtij ilaçi nga gjinekologët, KOHA ka pyetur edhe në Shoqatën e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovë, porse nuk kanë ofruar sqarime.

E Agjencia e Kosovës për Pajisje dhe Produkte Medicinale ka marrë vendim për pezullim të këtij produkti tre muaj pas pezullimit në shtetet e Bashkimit Evropian.

“Vendimi i datës 09.09.2024. Vendimi është marrë pas analizës së të dhënave që ne disponojmë, dhe njoftimi për pezullim është publikuar në faqen zyrtare të AKPPM-së. Vendimi u është dërguar institucioneve shëndetësore dhe institucioneve relevante (Odës së Farmacistëve të Kosovës dhe Odës së Mjekëve të Kosovës), si dhe është publikuar në faqen zyrtare të AKPPM-së. Për sqarim, pezullimi nënkupton ndalesën e importit, tregtimit, dispenzimit, reklamimit etj., deri në një vendim tjetër”, thuhet në përgjigjen e kësaj agjencie.

Ndonëse vendimi nga agjencia u mor më 9 shtator, në Odën e Farmacistëve konfirmojnë se zyrtarisht u njoftuan disa ditë më vonë.

Në vendimin e Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale i rekomandohet personelit shëndetësor t’i shqyrtojë mundësitë alternative të trajtimit.