Në Kosovë, 100 persona të prekur me HIV/AIDS (Foto)

E publikuar: 01/12/2015 13:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dita botërore kundër HIV/AIDS po shënohet në Kosovë me shumë aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë me vetëdijësimin e qytetarëve për rrezikun e kësaj sëmundjeje.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, që nga rasti i parë i prekur me virusin HIV/AIDS në Kosovë, në vitin 1986, deri më tani janë infektuar 100 persona, në mesin e tyre edhe fëmijë.

Prej tyre, 54 raste me AIDS dhe 46 me HIV infeksion, prej të cilave 41 kanë përfunduar me vdekje si pasojë e AIDS-it. Në aspektin gjinor, 69 për qind i takojnë gjinisë mashkullore, ndërsa 31 për qind gjinisë femërore.

Gjatë vitit 2015, janë regjistruar 2 raste të reja, që krahasuar me vendet e rajonit është numër shumë i vogël.

Përfaqësues të zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, konsiderojnë se Kosova karakterizohet me një shkallë të ulët të rasteve me HIV/AIDS dhe hyn në kategorinë e vendeve me përhapje të ulët.

Megjithatë, ata nuk kanë mohuar asnjëherë faktin se faktorët e rrezikut si trafikimi me qenie njerëzore, përdorimi i drogave intravenoze dhe sjelljet e rrezikshme, janë të pranishme.

Në Klinikën Infektive janë gjithsej 23 persona të cilët marrin terapinë dhe të cilët janë nën kujdesin e kësaj klinike.

Për trajtimin e personave të prekur me virusin HIV/AIDS, autoritetet kompetente në Kosovë, pohojnë se kanë bërë furnizimin me terapi të nevojshme për personat e rritur që jetojnë me HIV, por terapia e nevojshme për fëmijët që bartin këtë virus, mungon.

Izet Sadiku, zëvendësministër në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se terapia për të rritur është siguruar mjaftueshëm.

“Ministria e Shëndetësisë e përkrah blerjen e terapisë anti-retrovirale, dhe këtë terapi e kemi siguruar edhe për vitin e ardhshëm. Gjithashtu edhe në Qendrën për Testim Vullnetar kemi siguruar testet e shpejta. Një pjesë të programeve që i përkasin grupeve të rrezikut, janë në përkrahje qe disa vite e që Ministria i merr në formë donacioni”, ka bërë të ditur Sadiku.

Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë, njofton se në të gjitha rastet kur dyshohet se personi është i infektuar me HIV duhet të bëjë këshillimin dhe testimin vullnetar sa më të hershëm, që mundëson diagnostikimin e HIV infeksionit e me këtë edhe ndërmarrjen e masave të trajtimit dhe parandalimit të përhapjes së mëtejme tek të tjerët.

Përfaqësuesit e këtij Instituti tregojnë se trajtimi bëhet nën kujdesin mjekësor dhe në institucionet e specializuara për trajtim.

Testimi është vullnetar, konfidencial, falas dhe bëhet në Qendra për Këshillim dhe Testim Vullnetar për HIV.

Ndryshe, virusi HIV/AIDS vazhdon të jetë problem madhor për shëndetin publik.

Vitin e kaluar, 1.2 milion njerëz kanë vdekur nga sëmundje të lidhura me AIDS-in, transmeton rel.

HIV-i mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar, të tilla si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale.