Në kampusin e UP-së fillojnë gërmimet për varrezë masive

E publikuar: 08/07/2016 10:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kampusin universitar të Universitetit të Prishtinës të mërkurën e ardhshme do të fillojnë gërmimet për varrezë masive. Gërmimet janë paraparë të zgjasin dy ditë.

Drejtori i Departamentit për Mjekësi Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka thënë se javën e ardhshme në kampusin universitar, përkatësisht afër kishës ortodokse do të fillojnë gërmimet vlerësuese për varrezë masive.

Gërmimet vijnë pas informatave të dy qytetarëve të ndryshëm që thonë se gjatë vitit 1999 kanë parë forcat serbe duke gërmuar në këtë lokacion.

Ndërkaq koordinatori i Komisionit qeveritar për Persona të zhdukur Kushtrim Gara , ka thënë se me kërkesë të këtij Komisioni dhe familjarëve të të pagjeturve Prokuroria Speciale ka lëshuar po ashtu urdhëresë duke autorizuar gërmimet.

Ndërkaq pas 10 javë punimesh gërmimet vlerësuese në Kizhevak të Serbisë janë ndërprerë me arsyetimin e palës serbe se ka mungesë fondesh. Gara ka thënë se institucionet e Kosovës janë të gatshme të ndihmojnë gërmimet në këto lokacione, më qëllim të përshpejtimit të zbardhjes së të vërtetës për informacionet për varreza masive në këto lokacione.

Gjatë vitit 2016 në Kosovë janë bërë gërmime në katër lokacione ku kanë rezultuar po ndonjë gjetje. Sipas të dyja palëve mungesa e informacioneve të sakta mbetet një ndër sfidat kryesore në procesin e hulumtimit të varrezave masive.