Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se në vetëm pak kohë pas fillimit të gërmimeve arkeologjike në Kalanë e Vuçakut në Drenas, tashmë kanë zbulimin e parë tejet të rëndësishëm.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se është gjetur një altar romak.
“Ekipi i ekspertëve, i përbërë nga arkeologu Shafi Gashi, Sali Islami dhe Arbnor Morina, në murin rrethues të kalasë kanë zbuluar një altar romak të gjysmës së parë të shek.III, pas krishtit. Objekti është një spolie e ripërdorur në ndërtimin e kalasë së periudhës së Justinianit (527-565 p. Kr)”.
“Altari është i një rëndësie të veçantë dhe tregues se ka vazhdueshmëri jetese që nga parahistoria, antika deri në mesjetë”, ka thënë Çeku.