
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, sot në një konferencë për media ka bërë të ditur detaje nga marrëveshja me kompaninë amerikane Contour Global e cila është përzgjedhur për të ndërtuar termocentralin “Kosova e Re”.
Më në fund pas rreth një dekadë përpjekje për të ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese të energjisë elektrike në Kosovë, është arritur marrëveshja me një kompani amerikane për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.
Ky termocentral do të ketë kapacitet prej 500 megavatësh, dhe vlera e investimit do të jetë 1 miliard euro.
Ministri Stavileci duke folur për rëndësinë e këtij projekti, tha se ai përveq se do të gjenerojë zhvillim për vendin, do të hap edhe vende të reja të punës.
Ndërsa duke folur për procesin të stërzgjatur, rreth 10 vjeçar për finalizimin e këtij projekti, ministri Stavileci tha se biznesi kosovar përgjatë kësaj periudhe ka humbur rreth 300 milionë euro, nga mos furnizimi i duhur me energji elektrike.