Në Ditën e Presidentit, në shenjë mirënjohjeje për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në prani të zëvendësambasadorit të SHBA-ve, Nicholas Giacobe dhe përfaqësuesve të shoqatës “Vatra”, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e dekoroi Jim Xhema me Urdhrin e Lirisë.
Ai ishte dekoruar më parë edhe me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit nga presidenti historik, dr.Ibrahim Rugova. Në të njëjtën ceremoni, presidentja Osmani dekoroi me Urdhrin dr. Ibrahim Rugova edhe Christopher Hyland.
Presidentja Osmani ka vlerësuar kontributin e të dekoruarve për afirmimin e çështjes së Kosovës ndër vite.
“Duke e rikthyer vëmendjen te miqtë e Kosovës e atdhetarët tanë përtej Oqeanit Atlantik, ne e ripërtërijmë edhe kujtimin për afirmuesin e madh të demokracisë, presidentin tonë, dr. Rugovën”, ka theksuar Presidentja Osmani në ceremoninë e ndarjes së dekoratave.