Në Bruksel është mbajtur takimi i grupeve punuese për zbatimin e marrëveshjes për telekomin në mes të delegacionit të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, takim ky i cili ka zgjatur 17 orë bisedimesh.
Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga ministrja për Dialogun në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri e cila deklaroi se në këtë raund të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së është biseduar për përafrimin e qëndrimeve në mes palëve në çështjet që janë të lidhura me finalizimin e planit për veprim. Në këtë kuadër, Kosova do ta merr kodin telefonik ndërkombëtar 383 drejtpërdrejt nga ITU dhe se u konfirmua edhe njëherë se kërkesa në emër të Republikës së Kosovës do të bëhet nga ana e Austrisë. Poashtu plani për veprim parasheh që edhe çështja e bashkëpunimit në shërbimet postare në mes të të dyja shteteve të diskutohet dhe të përmbyllet deri në muajin dhjetor të këtij viti.
“Caktimi dhe marrja e kodit telefonik për Kosovën ka rëndësi të madhe sepse Kosova do ketë një kod unik dhe të vetëm siç e ka çdo shtet, për dallim nga situata e tashme kur në përdorim janë disa kode”, ka theksuar ministrja Tahiri, duke shtuar se ka pajtim që edhe operatorët e dy shteteve të bashkëpunojnë në fushën e interkoneksionit dhe roamingut me qëllim dhe synim të zbritjes së tarifave për qytetarët e dyja vendeve dhe marrëveshja parasheh që edhe Kosova të përfshihet në nismat rajonale për marrëveshjen e roamingut.
Më tutje ministrja Tahiri, theksoi se pjesë e marrëveshjes është edhe lejimi i përkohshëm për një kompani të re të telefonisë në Kosovë, e cila do ketë fushëveprim të kufizuar. Ashtu siç edhe është sqaruar nuk bëhet fjalë për operator të ri të telefonisë meqë një lejim i tillë merret vetëm përmes procedurave të garës publike të tenderit me karakter ndërkombëtar. Me dakordimin final të këtij plani për zbatim që pritet të përmbyllet në takimin e radhës të Kryeministrave do të shuhen operimet e operatorëve ilegal që kanë vepruar në Kosovë në fushën e telekomunikacionit brenda një periudhe të paraparë me plan duke vendosur përfundimisht rregullsi në tërë territorin e Kosovës.
Në fund të këtij takimi, palët u dakorduan që bisedimet të vazhdojnë dhe se të hënën e ardhshme me 22 qershor 2015 në Bruksel delegacionet do të takohen prapë.
Delegacioni i Republikës së Kosovës kryesohej nga ministrja Edita Tahiri dhe në përbërje ishin: Valon Murtezaj, këshilltar politik i kryeministrit Mustafa, Gazmir Raci, koordinator politik për telekomin, Elona Cecelia, këshilltare e ministres Tahiri, Ekrem Hoxha, koordinator i grupit të ekspertëve dhe kryetar i Bordit i ARKEP-it, Ilir Imeri, shef i Departamentit të Komunikimeve Elektronike në ARKEP, Ardrit Gashi, këshilltar politik i ministrit Stavileci, Rexhe Gjonbalaj, kryetar i Bordit i PTK, Mehdi Latifaj, drejtor teknik në PTK si dhe ambasadorja e Kosovës në Belgjikë, Mimoza Ahmetaj.