Sipas revistës së njohur gjermane, Auto Bild, në vitin 2021 do të arrijë gjenerata e re e BMW Series 2 Active Tourer, me emrin kodues U08. Ky model do të vijë me kabinën më moderne se sa është ditët e sotshme dhe ndoshta mund të vijë edhe në version sportiv M.
Sipas informacioneve të tanishme, Active Tourer i ri do të bazohet në versionin e tanishëm të platformës me sistemin e tërheqjes me vetëm rrotat e përparme, transmeton Koha.net. Në gjeneratën e re të këtij modeli, nuk do të jetë modeli Gran Tourer.
Active Tourer në version standard do të jetë më i gjatë dhe me boshtin e rrotave më të gjatë, që do të thotë se do të ketë më shumë hapësirë për pasagjerët në pjesën e pasme dhe në bagazh. Mbetet të pyetet nëse do të ketë hapësirë edhe për rreshtin e tretë të ulëseve.
Gjithashtu, Active Tourer i ri do të ketë teknologjinë më moderne të BMW-së, duke përfshirë dritat OLED, sistemin e navigimit, sistemet për ndihmë të shoferit, ekranin Head-up, kontrollimin në bazë të gjesteve, teknologjinë Brake-by-Wire, etj., ndërsa motorët dizel dhe benzinë do të kenë më shumë kuajfuqi.
Në gamën e motorëve në dispozicion do të jetë edhe versioni plug-in hibrid, ndoshta versioni M me motor benzinë 2.0-litër Turbo me kapacitet prej 300 kuajfuqi e sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat.
Përveç marshit manual, konsumatorëve do t’u ofrohet edhe marshi automatik me tetë shpejtësi.
Sa i përket çmimit, Active Tourer i ri në Gjermani do të fillojë të shitet me çmim prej më pak se 30.000 euro.