Në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta kujtohet veprimtari i çështjes kombëtare, Latif Përvetica

E publikuar: 21/02/2026 19:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot, shënohen 10 vjet nga ndarja nga jeta e veprimtarit të çështjes kombëtare, Latif Përvetica, emri i të cilit mbetet i lidhur ngushtë me veprimtarinë patriotike të diasporës shqiptare ndër vite.

Vdekja e tij kishte lënë dhimbje të thellë jo vetëm te familja, por edhe te bashkëveprimtarët dhe miqtë, me të cilët për dekada zhvilloi aktivitet të pandërprerë në mbështetje të çështjes kombëtare dhe çlirimit të Kosovës.

Sipas njoftimit të familjes Përvetica, Latif Përvetica ishte ndër veprimtarët që nuk qëndroi indiferent ndaj fatit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Ai, së bashku me figura të tjera të njohura të lëvizjes kombëtare si Isa dhe Sinan Elshani, Jahir Preka, Shukri Sinani, Brahim Kelmendi, Muhamet Kelmendi, Emrush Xhemaili, Fehmi dhe Gjev Lladrovci, Ali Ahmeti, Gafurr Elshani, Rexhep Iberdema dhe shumë bashkëveprimtarë e bashkatdhetarë të tjerë, vepruan në Dyseldorf, në Zvicër dhe në shumë qytete të Evropës, duke organizuar dhe mbështetur aktivitete për çështje komëtare.

Klubi Shqiptar në Dyseldorf, ku ai ishte aktiv, u bë një ndër qendrat e para që mbështeti demonstratat e pranverës së vitit 1981 në Kosovë, duke organizuar protesta dhe aktivitete sensibilizuese në vendet perëndimore. Përvetica mbeti i angazhuar në kuadër të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) deri në çlirimin e vendit më 1999.

Për shkak të veprimtarisë së tij në diasporë, ai nuk u kthye në vendlindje për afro dy dekada, duke ia kushtuar jetën organizimit dhe mbështetjes së përpjekjeve për liri.

Ai dha kontribut të rëndësishëm edhe në Fondin 3% dhe në Fondin “Vendlindja Thërret”, fonde që mbështetën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës.

Në këtë 10-vjetor të ndarjes nga jeta, Latif Përvetica kujtohet me respekt e mirënjohje si një veprimtar i përkushtuar, që dha kontribut të çmuar për lirinë dhe të ardhmen e Kosovës.