Ndryshimi i mendësisë urbane

E publikuar: 03/06/2016 00:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

arch. Ylber Vokshi -Ylli
Për atë se pushtetarët aktual të dy niveleve janë të detyruar të caktojnë lokacione për objekte apo komplekse të ndryshme urbane sipas kërkesave reale,jemi mësuar në vitet e fundit, në vend se ato përmbajtje të ishin të parapara në Dokumente Hapësinore Qendrore dhe Komunale,dhe ti nënshtrohen vetëm procedurave teknike dhe administrative. Jemi dëshmitarë të këtyre veprimeve të dëmshme të vendimmarrësve Kosovar që kanë shkaktuar pakënaqësitë shumta me arsye e pa arsye. Improvizimet e tilla shkaktojnë gabime të shumta urbane,ndryshimet e lokacioneve janë “normale” me këto raste të pa qëndrueshme nga aspekti urban,si në rastin e propozim ndryshmit të lokacionit për ndërtimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Prishtinë.
Ky rast shkaktoi polemika të pa arsyeshme në mes partive politike,kjo qasje urbane shpalosë,tregon shumë të vërteta se si është punuar në Prishtinë në vitet e pas luftës,me trajtimin e problematikës urbane në Kryeqytet,si dhe në qytetet kryesore të Kosovës. Në vitin 2013 Asambleja Komunal kishte aprovuar kundërligjshëm dokumentet hapësinore ( PZhK dhe PZhU ),ato kanë pasur mangësi të mëdha. Për të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet konstruktive me kohë janë njoftua strukturat e atëhershme komunale nga ana e Këshillit të ekspertëve të planifikimit të K.K. të Prishtinës, por ata nuk e kanë pa të arsyeshme të marrin në konsideratë sugjerimet e ekspertëve të Këshillit.
Planifikimi hapësinor dhe urban në shekullin e ri duhej të ishte STRATEGJIK, që dallon rrënjësisht nga ai i dikurshmi Konvencional,fleksibiliteti është ajo që e karakterizon këtë metodë,e cila ende është e huaj për mendësinë tonë në të kuptuarit e mënyrës së të jetuarit dhe vepruarit në një bashkësi ma të gjerë si është qyteti apo kryeqyteti i një shteti. SI duket neve na duhet kohë shumë vjeçare të ndryshohet mendësia apo filozofia jetësore apo mentaliteti primitiv provincial i kultivuar me shekuj.
Nuk ka hapësira të rezervuara me emërtime specifike. Nëse është marr leja e ndërtimit për një objekt të caktuar,ajo duhet të ketë afatin një vjeçar me mundësi vazhdimi ( Neni 21 paragrafi 6 dhe 7 i ligjit të Ndërtimi),e jo që pas 9 vite të thirreni në disa lokacion ekskluzive të përjetshme,një gjë të tillë është e pa tolerueshme,sot kemi të bëjë me Planifikim Urban Strategjik.
Plani Rregullues urban i kompleksit “Lakërishtës” është dashur të plotësohet,korrigjohet dhe të ndryshohet shumë kohë ma parë,pasi ishte aprovuar në vitin 2007 dhe kishte mangësi të dukshme, si rezultat i ndërhyrjeve të ndryshme, ngjashme është situata edhe në zonat tjera të kryeqytetit, Rrethanat urbanë tërësisht kanë ndryshuar në ato pjesë të kryeqytetit,kushtet e reja të ekonomisë së tregut ku zhvillimet e reja teknologjike tmerrësisht imponojnë që fusha e zhvillimeve urbanë të jëtë në shërbim të tyre, e jo të imponohen disa klishe të së kaluarës si është rasti i fundit me rezervimin e përjetshëm të ndonjë lokacioni. Mu këtu ekziston dallimi i madh në mes të menduarit dhe vepruarit urban të dikurshëm dhe të tanishëm,këtë duhet kuptuar të gjithë ne nëse mendojmë ti bashkohemi botës së civilizuar,gjithsesi duhemi ndryshuar mendësinë e jonë urbane.
Para 14 vite isha në vizitë pune në Holandë në Institutin “IHS” të Roterdamit, institucion me famë botërore në fushën e Planifikimit Hapësinor dhe Urban, i njohur me punë të suksesshme në të gjitha anët e botës. Dilema ime ma e madhe ishte se si ta ndërroj të menduarit urban konvencional,prezent në kokën time që nga koha e studimeve dhe eksperiencës së fituar profesionale mbi njëzet e pesë vjeçare,kjo ishe sfidë e madhe për mua dhe gjeneratën e profesionistëve urban në Kosovë në ata kohëra të tranzicionit politik dhe ekonomik.
Në pauzën në mes dy sesioneve, kërkova nga eksperti i njohur botëror Forbes Davidson mendimin e tij se si do të vepronte në rastin kur një investitor do të kërkonte të ndërtoi,të investoi disa miliona euro, në një lokacion që do të ishte në kundërshtim me dokumentet urbane legjitime të Roterdami. Pas një hamendje të momentit,me insistimin tim këmbëngulës, mu përgjigj se kurrsesi nuk do të lejonte të refuzohet një investitorë i tillë serioz,dhe se kërkesa e tij do të analizohej dhe do të aprovohej edhe me ndryshimin, përshtatjen me rrethanat e reja urban, në atë zonë të qytetit të Roterdamit. Ma vonë u binda se z.Davidson kishte pasur plotësisht të drejtë,kurse mua mu ndryshua të menduarit profesional hapësinor dhe urban. Kjo mendësi i mungon klasës politike,profesionistëve dhe së fundit edhe popullit tonë,mu këtu qëndron thelbi i zgjidhjes së problematikës urbane në Kosovë me tolerancë të ndërsjella.
Ndryshimet e ligjeve të Ndërtimit dhe Planifikimit Hapësinor të bëra në vitin 2012 dhe 2013,kinse në emër të reformave progresive në fushën e ndërtimeve,vetëm krijuan një situatë konfuze, e cila nuk është përcjell me përpilimin e akteve nënligjore as sot e kësaj dite për ti bërë ato funksionale. Si duket ky edhe ka qenë qëllimi final,mos funksionimi ligjor i kësaj fushe,vazhdimi me të vjetrën,pasojat e së cilës po vërehen në çdo hap,pasi po ka interpretime të ndryshme të dispozitave ligjore të ndërtimit.
Komunat janë në pozita të pa lakmueshme, pasi për përpilimin e Planeve Rregulluese të Hollësishme,së pari duhet punuar Planin Zhvillmor Komunal dhe Hartën Zonale, të cilat duhet të jenë në pajtim me Hartën Zonale të Kosovës të cilën niveli Qendror (MMPH) ende nuk e ka punuar. Edhe Udhëzimi Administrative për Hartën zonale të Komunave është aprovuar në MMPH para 5 muajve,afatet ligjore për përpilimin e tyre janë ekstrem të shkurta,duke e ditur nivelin e ulët të pajisjeve teknike dhe përgatitjen e stafit profesional nëpër komunat tona.
Shumë mirë shpjegohet në Ligjin e Planifikimit Hapësinor aktual se “Dokumentet ekzistuese të planifikimit hapësinor, të cilat janë të miratuara mbeten në fuqi derisa të harmonizohen me dispozitat e këtij ligji”,dhe se “Deri në nxjerrjen e akteve nënligjore të parapara me dispozitat e këtij ligji, aktet nënligjore ekzistuese zbatohen nëse nuk janë në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji”. ( Neni 26 paragrafi 7 dhe 8 i ligjit të Planifikimit Hapësinor), Pra nuk guxon me pasur vakum dokumentesh hapësinor,jo-validitet planesh,ato duhet përshtatur kërkesave të reja në vazhdimësi,këtë e lejon Planifikimi Strategjik Urban. Përse po ka kërkesa jo realiste,kur po e dimë se si kemi vepruar në këto vite në Komunë,skajshmërisht kemi punuar kundër vetvetes,kundër interesave të vendit tonë,prapë po tentojmë që me veprime destruktive të minojmë iniciativat konstruktive të gjeneratave të reja,duke këqyrë vetëm interesat e grupeve të caktuara të interesit.
Ne si shoqëri kemi arritur që fushën e urbanistikës për të keq ta mistifikojmë, marrjen e një leje ndërtimi ta komplikojmë në ekstrem,e krejt kjo për disa favore personale dhe grupore. Nuk duhet harruar se urbanistika është vet jeta e jonë dhe duhet thjeshtësuar sa ma shumë,për një jetë të dinjitetshme urbane,si në tërë botën e civilizuar.
Sidoqoftë pa marr parasysh rrethanat konfuze dhe lojërat e ndyta me ligjet,procesi i ndërtimeve me leje nuk guxon të bllokohet,kjo mundet të arrihet vetëm me forcimin e Drejtorive Komunale të Urbanizmit, që me punë profesionale të iu zvogëlohet hapësira të gjithë atyre që abuzuan me territorin e Kosovës këto vite. Esenciale është të punohen dokumente hapësinore dhe urbane realiste,të bazuara në të dhëna konkrete dhe indikatorë hapësinor të prekshëm. Domosdo duhet të aplikohen principet e Planifikimit Hapësinor dhe Urban STRATEGJIK, si e vetmja rrugë drejtë arritjes së objektivave dhe synimeve komunale dhe shtetërore.

Autori është – ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK),