BE-ja mbështet tregtinë e lirë të mallrave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me rregullat e CEFTA-s.
Kështu ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për portalin serb Kosova Online i pyetur për të komentuar vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës lidhur me ndryshimin e masave të sigurisë për produktet serbe në Merdarë, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, Stano tha se tregtia e lirë në përputhje me rregullat e CEFTA-s është vendimtare për funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.
“Ky është çelësi për funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe është një pjesë integrale e Planit të Rritjes për rajonin dhe të dyja përfaqësojnë përfitime të prekshme për qytetarët e të gjithë rajonit” tha Stano.
Kryeministri Albin Kurti njoftoi të hënën se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dërguar letrën pikës kufitare në Merdare që të të ndryshojnë masat e vendosura ndaj mallrave serbe.
“Masat tona nuk kanë qenë dhe asnjëherë nuk janë masa tregtare, janë masa të sigurisë. Në dy vitet e fundit Serbia i ka sjellë katër herë ushtrinë e saj tek kufiri i Kosovës, në vitin e kaluar dhe këtë vit kemi pasur katër konfiskime të mëdha të armatimit dhe municionit, ndërkohë që grupi paramilitar terrorist që e vrau rreshterin e policisë, Afrim Bunjaku, vazhdon të jetë i lirë në Serbi. Nëpërmjet rrugëve të ndryshme mund të kenë qenë, jo vetëm ilegale nëse kanë hyrë mallra të gatshme nga Serbia e ne nuk i kemi hapur ato, nuk mund të përjashtojmë që diçka përvidhet, kjo i ndodhë edhe ShBA-së edhe Gjermanisë”, deklaroi dje Kurti gjatë një konference për media.